Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të hënën në Izrael se negociatat që po zhvillohen për armëpushim në Gazë, janë “ndoshta mundësia e fundit” për të arritur marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
“Ky është një moment vendimtar – ndoshta më i miri, ndoshta mundësia e fundit për t’i kthyer pengjet në shtëpi, për të arritur armëpushim, dhe për t’u nisur në rrugë të duhur për paqe të qëndrueshme dhe siguri”, ka thënë Blinken pas takimit me presidentin izraelit, Isaac Herzog.
Diplomati i lartë amerikan ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e ka dërguar atë në Izrael “për të arritur këtë marrëveshje”.
“Është koha që të përfundohet kjo punë. Po ashtu, është koha që të sigurohemi që askush të mos marrë hapa që mund të dëmtojnë procesin”, ka thënë Blinken.
“Ne jemi duke punuar që të garantohemi se nuk ka përshkallëzim, nuk ka provokime, që nuk ka veprime që mund të largojnë nga arritja e kësaj marrëveshjeje, apo që të përshkallëzohet konflikti në vendet tjera, me intensitet më të lartë”.
Blinkën, në vizitën e tij të nëntë në Lindje të Mesme prej sulmit të Hamasit – grup palestinez të shpallur terrorist prej SHBA-së dhe fuqive tjera – më 7 tetor në Izrael, pritet të takojë më vonë gjatë së hënës edhe kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Si pasojë e sulmit të militantëve të Hamasit, në jug të Izraelit janë vrarë mbi 1.200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.
Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.
Izraeli, më pas, ka nisur fushatë në Gazë për të shkatërruar Hamasin.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 39.000 palestinezë, raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze.
Sekretari amerikan i Shtetit e ka cilësuar situatën aktuale si të “tensionuar” në Izrael dhe ka paralajmëruar kundër ndonjë veprimi që mund t’i rrisë tensionet, pas kërcënimeve të Iranit dhe grupit të armatosur libanez, Hezbollah, për t’u hakmarrë ndaj vrasjeve të kryera së fundmi ndaj dy liderëve militantë.
Hezog, i cili ka rol ceremonial, ka thënë se izraelitët dëshirojnë të shohin kthimin e pengjeve “sa më shpejt që është e mundur”. /REL/