Vrasja e policit në Serbi, reagon Vuçiqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes dhe kolegëve të policit të vrarë Nikolla Kërsmanoviq të enjten në Loznicë.

“Isha jashtëzakonisht i tronditur nga lajmi për vdekjen e policit Nikolla Kërsmanoviq, i cili u vra në një sulm tinëzar duke kryer me nder detyrën e tij të vështirë”.

“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të djalit dhe vëllait tuaj, policit trim Nikolla Kërsmanoviq. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit kontribuoi pa masë në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Humbja e tij është e pariparueshme, jo vetëm për ju, familjen e tij, por për mbarë vendin tonë. Nikolla ishte hero i vërtetë, i cili ia kushtoi jetën mbrojtjes së të tjerëve dhe guximi dhe profesionalizmi i tij e udhëhoqën në të gjitha sfidat dhe rreziqet që kishte shërbimi i tij”.

“Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ju ngushëlloftë forca dhe guximi që tregoi Nikolla në jetën e tij në këto kohë të vështira. Serbia nuk do ta harrojë kurrë sakrificën dhe përkushtimin e tij vetëmohues ndaj detyrës”, thuhet në telegram.

Mediat në Beograd raportojnë se policia serbe e ka gjetur pasaportën e të dyshuarit për sulm dhe se ajo është pasaportë e Kosovës në emër të Artan Hajzirit, të lindur më 1991.

Sipas raportimeve nga mediat serbe, pasi ndaluan një “Mercedes” me targa të Tutinës, në të cilin ndodheshin dy persona, gjatë daljes nga vetura një person ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur një polic në gjoks dhe një tjetër në shpatull, e më pas ka ikur.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share