Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri sot ka bërë të ditur se ka nënshkruar vendimin për përzgjedhjen e kompanisë fituese për fillimin e ndërtimit të gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë.
Sipas ministrit Shaqiri, gjatë muajit prill vendoset gurëthemeli.
Postimi i plotë:
Po ndaj sot një nga lajmet më të mirëpritura për Kumanovën – pas përmbylljes së procedurës tenderuese për ndërtimin e gjimnazit të Kumanovës “Sami Frashëri”, sot kisha kënaqësinë të nënshkruaj vendimin për zgjedhjen e kompanisë fituese të kësaj procedure.
Gjatë muajit prill, pas nënshkrimit të kontratës, do të hidhet gurëthemeli në rrethin e kampusit shkollor në lagjen Bedinjë për objektin krejtësisht të ri për 1200 nxënës të gjimnazit të Kumanovës, ndërsa kompania fituese brenda 24 muajve duhet të dorëzojë çelësat e shkollës së re.
Potencoj që Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pas pranimit të dokumentacionit dhe lejes së ndërtimit nga Komuna e Kumanovës në muajin janar 2024, në afat rekord e ndoqi procedurën tenderuese, për të zgjidhë problemin 23 vjeçar të gjimnazit të Kumanovës.