OSMANI: TË PËRSHPEJTOHET PROCESI E JO TË KËRKOHET NDRYSHIM I MARRËVESHJES
Pavarësisht rradhëve të gjata nëpër sportelet e MPB ku qytetarët presin me ditë të tëra për t`i nxjerrë dokumentat e identifikiit Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Ministri i jashtëm Bujar Osmani thonë që ky është një proces që duhet të përfundoj pasi duhet të respektohet marrëveshja.
Me afrimin e afatit për zbatimin e marrëveshjes për pajisjet me dokumentat e identifikimit po ngushtohet edhe periudha kohore për zbatimin në kohë. I pari i Qeverisë Kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se një gjë të tillë do ta diskutojë me ministrat në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ku do të shqyrtohet mundësia për shtyrje të afatit. Edhe pse bëri të ditur se për këtë problem nuk ka folur me autoritetet greke.
“Njerëzit punojnë edhe në festa, edhe të dielave dhe kështu me radhë, do të flasim, ky është proces që duhet të përfundojë, duhet të përfundojë. Me autoritetet greke nuk kam folur, presidenti i shtetit më duket e mori për obligim që të dëgjohet me presidenten e Greqisë, kemi bisedime me ministrat e resorëve” – tha Kovaçevski.
Por, ndryshe thotë Presidenti Pendarovski. Ai mohon të ketë marrë obligim për të negociuar me Greqinë për prolongimin e afatit.
“Presidenti Pendarovski dha propozim për tejkalimin e problemit, por procedura është në kompetencë të plotë të Qeverisë dhe Kuvendit. Lidhur me komunikimin me Greqinë, Presidenti Pendarovski mund ta ndihmojë procesin, por nuk ka marrë obligim në këtë drejtim” – thonë nga Kabineti i Presidentit.
Shefi i diplomacisë Bujar Osmani është i mendimit që të përshpejtohet procesi e jo të kërkohet ndryshim i marrëveshjeve ndërfqinjësore.
”Kisha takim me ambasadoren Greke, marrëveshja e Prespës është nje marrëveshje ndërkombëtare e përkthyer edhe në kushtetutën tonë edhe në ligjin për implementimin e kushtetutës dhe ju mund të pretendoni të ndryshoni ligjet siç tha presidenti, por kush do e ndryshoj kushtetutën, kush do e ndryshoj marrëveshjen. Eshte më mirë të vazhdohet të përshpejtohen aktivitet që të jemi gati se sa të tentojmë t`i ndryshojmë marrëveshjet ndërfqinjësore” – tha Bujar Osmani.
Në bazë të marrëveshjes me Greqinë me 12 shkurt përfundon afati i përdorimit të dokumenteve personale me emrin e vjetër të shtetit, në bazë të së cilës shtetasit e Maqedonisë së Veriut për përdorim të jashtëm do të duhet të kenë dokumente personale me emrin e ri të shtetit, gjegjësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut. /KlanMacedonia/