Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka zhvilluar sot takim pune me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Republikës së Hungarisë, Peter Sijarto. Tema e takimit ku morën pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i NOMAGAS SH.A. Shkup, Bajram Rexhepi dhe kryetari i Komisionit Rregullator për Energji, Marko Bislimoski ishte taksa e gazit rus e vendosur nga Republika e Bullgarisë
Të dy ministrat diskutuan hapat e ardhshëm që do të ndërmerren për heqjen e taksës ndaj gazit rus të vendosur nga Bullgaria, për të cilën ranë dakord se ishte e paligjshme dhe një akt jomiqësor.
Gjatë takimit u dakordosua koordinim i përbashkët i qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë në drejtim të ndërmarrjes së aktiviteteve konkrete për të garantuar sigurinë energjetike të të dy vendeve dhe sigurinë e furnizimit me gaz. “Ne jemi plotësisht të përkushtuar për zgjidhjen e problemit që Bullgaria vendosi taksë për gazin rus dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët përmes veprimeve të koordinuara të të gjitha palëve të interesuara. Maqedonia e Veriut mbështet të gjitha iniciativat për zgjidhjen e problemit” – tha ministri Bekteshi në takim.
Ministri Bekteshi dhe ministri Sijarto u dakordësuan se diversifikimi i burimeve të furnizimit me gaz është qëllimi përfundimtar për të cilin të dy vendet do të punojnë së bashku në periudhën e ardhshme. Hungaria është ndër 10 partnerët e parë tregtarë të Maqedonisë së Veriut, është një partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik dhe investitor i huaj në vend, me një trend rritës të tregtisë dhe një suficit të vazhdueshëm të eksporteve nga ana jonë.