Gjermania “kthesë historike” për emigrantët

Ndryshe nga politika e dyerve të hapura që ndoqi ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari Olaf Scholz pritet të marrë masa më të ashpra për të frenuar ardhjen e emigrantëve në Gjermani. Scholz, i cili kërkon të zvogëlojë numrin e azilkërkuesve, ra dakord për një politikë më të ashpër emigracioni dhe financim të ri për refugjatët me krerët e 16 shteteve të Gjermanisë pas orëve të gjata negociatash.

“Nuk dua të përdor fjalë të mëdha, por dua të them se ky është një moment historik. Në dritën e një sfide të padiskutueshme të madhe me një numër shumë të madh emigrantësh dhe emigrimin e parregullt, ne kemi arritur që të bashkëpunojnë ngushtë në të gjitha nivelet, gjë që është e nevojshme. Njerëzit e presin këtë nga ne.”

Takimi kishte për qëllim marrjen e mbështetjes së drejtuesve të shtetit për lëvizje të tilla. Si rrjedhojë, qeveria ra dakord t’u paguajë shteteve dhe komunave 7500 euro për çdo refugjat nisur nga viti i ardhshëm dhe të bëjë një pagesë paraprake prej 1.75 miliardë euro për përballuar koston e strehimit të emigrantëve.

Autoritetet gjermane do të reduktojnë përfitimet për azilkërkuesit ndërsa do të zgjatet edhe koha e shqyrtimit të kërkesave për azil. Deri më tani, nevojiten mesatarisht gjashtë deri në 18 muaj që një kërkesë për azil të shqyrtohet. Por kjo periudhë tani do të zgjatet në 36 muaj.

Qeveria federale gjithashtu ra dakord të shqyrtonte nëse procedurat e azilit mund të kryheshin jashtë Bashkimit Evropian, megjithëse Scholz shprehu skepticizëm nëse kjo ishte e mundur me kushtetutë dhe nëse vendet do të pajtoheshin me të. Çështja e emigrantëve po kthehet në një shqetësim në Gjermani pasi numri i kërkesave për azil është rritur.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share