Netanyahu refuzon Blinkenin për armëpushim në Gaza, sulmeve izraelite nuk u shpëtojnë as ambulancat

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu refuzoi armëpushimin humanitar në Gaza të propozuar nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken. Ushtria izraelite vazhdoi me sulmet në Gaza, ku nuk shpëtuan ambulancat që evakuojnë të sëmurët.

Një autokolonë me ambulanca ishte ndër shënjestrat e sulmeve të 24 orëve të fundit të sulmeve ajrore izraelite në Gaza.

Të paktën 11 persona humbën jetën gjatë sulmit. Ambulancat ishin nisur për të evakuuar një grup pacientësh nga spitali Shifa drejt Egjiptit përmes korridoreve të evakuimit, por ushtria izraelite tha se kishte informacione të sakta se ato transportonin fshehurazi militantë të Hamasit.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Sipas Tel Avivit, pretendimet mbështeten edhe në informacionet e inteligjencës amerikane dhe egjiptiane.

Hamasi mohoi kategorikisht se në ambulancë kishte militantë të tyre. Sulmi u dënua edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres që u shpreh i tmerruar nga kjo ngjarje. Bombave izraelite nuk i shpëtoi këtë të Shtunë edhe një spital fëmijësh në Kan Junus.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu refuzoi një ditë më parë, thirrjen e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken për një armëpushim të përkohëshëm për qëllime humanitare.

Netanyahu, i cili nuk pranoi një konferencë të përbashkët për shtyp me Blinkenin gjatë vizitës së këtij të fundit në Tel Aviv tha se për armëpushim do të flitet vetëm kur të lirohen 240 pengjet e marra nga Hamasi.

Blinken ndërkaq, vazhdon turin e tij të takimeve në rajon me Libanin, Katarin dhe Jordaninë.

Tv Klan

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share