Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shprehur se lufta Izrael-Hamas po ia heq fokusin konfliktit në Ukrainë. Ai ka thënë se ky ishte një nga qëllimet e Rusisë e cila nisi një pushtim të Ukrainës në Shkurt të vitit 2022.
Duke folur në konferencën e së shtunës në Kiev me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Zelensky tha: Është e qartë se lufta në Lindjen e Mesme po ia heq fokusin Ukrainës.
Mes të tjerash, Zelensky mohoi që në Ukrainë të kishte një ngërç, pavarësisht një vlerësimi të fundit për këtë nga gjenerali më i lartë i vendit.
“Të gjithë po lodhen dhe ka mendime të ndryshme, por ky nuk është një ngërç“, tha Zelensky.
Kundërofensiva e Ukrainës në jug deri më tani ka bërë pak përparim. Kjo ka nxitur frikën e lodhjes nga lufta në mesin e aleatëve perëndimorë të Kievit, me ngurrim në rritje në disa kryeqytete për të vazhduar dhënien e armëve dhe fondeve të avancuara Ukrainës.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, mbrëmjen e djeshme konfirmoi se ushtarët ukrainas nga Brigada Sulmuese Malore 128 “Zakarpattia (Transcarpathia)” u vranë, dhe urdhëroi një hetim të plotë në atë që ai e përshkroi si “tragjedi”./tvklan.al