India dëbon diplomatin kanadez pasi Otava largoi diplomatin indian për vrasjen e liderit të komunitetit Sikh
Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka ngritur akuza ndaj qeverisë së Indisë se ka organizuar vrasjen e udhëheqësit të komunitetit Sikh në British Columbia, Hardeep Singh Nijjar, në 18 Qershor të këtij viti.
Duke folur në Dhomën e Komunave, Trudeau tha se ai e ngriti çështjen drejtpërdrejt me Narendra Modi, kryeministrin indian, në samitin e G20 këtë muaj. Pretendimi, për të cilin Trudeau tha se bazohej në inteligjencën e mbledhur nga qeveria kanadeze ka të ngjarë të tensionojë më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Çdo përfshirje e një qeverie të huaj në vrasjen e një qytetari kanadez në tokën kanadeze është një shkelje e papranueshme e sovranitetit tonë. Është në kundërshtim me rregullat themelore me të cilat sillen shoqëritë e lira, të hapura dhe demokratike. Ne po punojmë ngushtë dhe po koordinojmë me aleatët tanë për këtë çështje shumë serioze.”
Këtë muaj, Kanadaja pezulloi negociatat për një marrëveshje tregtare me Indinë. Udhëheqësi i komunitetit u qëllua pranë një tempulli Sikh. Ai kishte bërë thirrje për krijimin e një kombi të pavarur Sikh që do të përfshinte pjesë të shtetit Punjab të Indisë. India e shpalli atë terrorist në vitin 2020, për lidhjet e tij të supozuara me lëvizjen “Khalistan Tiger Force” një grup që bën fushatë për Khalistanin e pavarur në rajonin Punjab të Indisë.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i qeverisë indiane e cila ka dëbuar një diplomat të lartë kanadez disa orë pasi Kanadaja dëboi një diplomat indian. India i ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat e Trudeau, duke i quajtur ato absurde dhe të motivuara politikisht. Vendimi i Nju Delhit pasqyroi shqetësimin në rritje për ndërhyrjen e diplomatëve kanadezë në çështjet e brendshme dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet kundër Indisë, thuhet në një deklaratë.
Klan News