Më 11 shtator 2023, Ambasadori i Japonisë, Sh.T. Ocuka Kazuja mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të projektit GGP, tashmë të përfunduar me sukses në Komunën e Kërçovës.
Me shumën prej 80.593 euro, projekti mundësoi rindërtimin e Shkollës fillore Vlladimir Pollezhinos në Kërçovë, nëpërmjet ndërrimit të dyerve dhe dritareve, si dhe rinovimit të tualeteve. Si rezultat, kushtet e mësimit janë përmirësuar dukshëm.
Në fjalimin e tij, ambasadori Ocuka theksoi: “Ne besojmë se investimi në arsim është një investim për të ardhmen. Dua të theksoj se Japonia është fuqimisht e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të Maqedonisë së Veriut, gjë që është e rëndësishme për integrimin e plotë në BE.
Ceremoninë e hapi kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohje ndaj popullit japonez. Drejtori i shkollës, Goran Karafiloski, pasi prezantoi rezultatet e projektit, i shoqëroi të pranishmit në sallën kryesore ku të gjithë shijuan shfaqjen e nxënësve të përgatitur për këtë rast.
Në kuadër të programit (GGP), Japonia ka financuar projekte për rinovim dhe sigurim të pajisjeve në më shumë se 75 shkolla dhe kopshte, 67 objekte shëndetësore dhe ka ofruar 31 automjete të specializuara për menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimeve komunale për 52 komuna.
Japonia në vazhdimësi mbështet Maqedoninë e Veriut në sektorë të ndryshëm, si zhvillimi infrastrukturor, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, arsimi, mjedisi, kultura, ndihma gjatë fatkeqësive natyrore dhe krizave të refugjatëve, si dhe ndihma urgjente në vlerë mbi 8.9 milionë euro, si dhe ndihma të tjera jofinanciare” – thuhet në komunikatën nga Ambasada e Japonisë.