Mosmarrëveshja në lokalin “Bon Vivant” në qendër të kryeqytetit, përfundoi me përdorim armësh.
Për pasojë, K.R u vra, 6 të tjerë u plagosën, e më tepër se 10 u lënduan për çka morën ndihmë mjekësore.
Të tjerët janë jashtë rrezikut për jetë, megjithatë disa do të vazhdojnë trajtimin në spitale.
Një numër i madh i klientëve, pësuan lëndime nga xhamat e thyer, derisa para kamerës nuk pranuan të deklarohen.
Dyshohet se konflikti nisi mes dy grupeve, që janë të përfshirë në raste të tilla edhe më parë. Madje një nga ta, raportohet të jetë në kërkim nga FBI.
Në rastin e natës së 4 gushtit, FSK konfirmoi që është përfshirë edhe një pjesëtar i tyre.
Derisa Policia informon se 4 të dyshuar janë të hospitalizuar, në prokurori konfirmojnë se një tjetër është në arrati.
“Prokurori i rastit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke punuar në drejtim të identifikimit tëpersonave të implikuar në këtë rast me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes, është marr Aktvendim mbi ndalim ndaj disa personave…Ajo që është më rëndësi të ceket se një person gjindet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Kafiteria ku ndodhi incidenti, të shtunën qëndroi e mbyllur dhe nga aty nuk u deklarua askush për rastin, gjersa shenjat e krimit janë të dukshme gjerë në trotuare.