Çfarë ndodh me familjen mbretërore nëse Britania shfuqizon monarkinë?

Mediat e huaja bëjnë me dije se pas kurorëzimit të Mbretit Charles të Shtunën, numri i qytetarëve që ndiqnin këtë event shumë të rëndësishëm ishte shumë më i pakët krahasuar me vite më parë. Një gjë të tillë ata e bazojnë në sondazhet e kryera.

Ceremonia në Westminster Abbey u festua në Londër dhe në mbarë botën, pasi mijëra njerëz organizuan festa në rrugë për nder të mbretit të ri. Por jo të gjithë ishin të gëzuar. Në mesin e turmave që shikonin kurorëzimin kishte dhe nga ata që protestonin kundër Charles, me pankarta në duar ku shkruhej: “Jo mbreti im”, “Ky vend është i yni”.

Graham Smith, lideri i grupit anti-monarki në Mbretërinë e Bashkuar, shkroi në Twitter se ai u arrestua së bashku me pesë individë të tjerë ndërsa ishin në rrugë për të protestuar. Smith kritikoi Charles për cenim të protestës paqësore dhe tha që nga pallati mbretëror duhet të kishte një falje publike. Pas kësaj deklarate në rrjetet sociale, policia i la të lirë 6 personat.

Për më tepër, shifrat e fundit tregojnë se ka më pak mbështetje publike për monarkinë krahasuar me vitet e shkuara. Sipas një sondazhi të kryer nga BBC, vetëm 40% e qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar preferojnë një shtet monarkik.

Madje, ceremonia e kurorëzimi i mbretit Charles pati më pak ndjekës online sesa funerali i mbretëreshës Elizabeth. Kurorëzimi u ndoq mesatarisht nga 18.8 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar krahasuar me 26.5 milionë njerëz që ndoqën funeralin në Shtator.

Tiwa Adebayo, një gazetare britanike tha për “Good Morning Britain” se kurorëzimi ka të ngjarë të jetë “gjëja e fundit në mendjen e shumë njerëzve” për shkak të krizës së kostos së jetesës atje.

Të gjitha këto bëjnë që të lindë pyetja: Çfarë do të ndodhte nëse Britania e Madhe shfuqizon monarkinë?

Në disa vende, si Greqia apo Bullgaria, monarkitë u shfuqizuan përmes referendumit publik, dhe shumë ekspertë të komunikimit thonë se ky proces është mjaft i vështirë.

Që nga viti 1837, të gjithë monarkët e Britanisë kanë jetuar në Pallatin Buckingham, i cili ka 775 dhoma, shumica e të cilave për përdorim privat. Pjesa tjetër janë për organizimin e banketeve apo takimeve me liderë të rëndësishëm. Është gjithashtu një vend kryesor për shumë ngjarje historike, duke përfshirë pritjet e dasmave. Në vitet e mëparshme, pallati hapej për vizitorët në verë, ndërsa mbretëresha e ndjerë Elizabeth II pushonte në shtëpinë e saj në Skoci.

Pallati i Buckingham

Megjithatë, ky pallat mund të bëhet një atraksion i përhershëm turistik nëse mbreti do të largohej zyrtarisht. Pallati është pronë e Crown Estate. Megjithatë, kjo do të ndryshonte nëse mbreti i ri nuk do të ishte më Kryetar i Shtetit. Pra shumë pasuri i përkasin Mbretit për aq kohë sa ai mban titullin.

Rezidencat e tjera që janë në pronësi të Kurorës përfshijnë Kështjellën Windsor dhe Pallatin Holyroodhouse. Monarku gjithashtu zotëron privatisht Kalanë Balmoral në Malësitë Skoceze dhe Sandringham Estate në Norfolk, ku familja mbretërore kalon çdo Krishtlindje dhe Vit të Ri. Prandaj, ka të ngjarë që një nga këto të zgjidhet si një vendbanim i ri i përhershëm nëse monarkia hiqet.

Princi William dhe Kate do të gjendeshin në pozitën e Princit Harry-t dhe Meghan, të pavarur financiarisht.

Megjithëse autori Nigel Cawthorne i tha më parë Insider-it se monarkia do të dëmtohet rëndë më tej, si pasojë e largimit mbretëror të Harry dhe Markle në vitin 2020. Mesa duket britanikët nuk kanë të njëjtën dashuri për Charles si për mbretëreshën e ndjerë Elizabeth. Prandaj është e paqartë se çfarë do të sjellë e ardhmja për monarkinë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share