Luftimet në Sudan thellojnë krizën humanitare

Njëra palë në konflikt ka marrë kontrollin e një laboratori shëndetësor që mban materiale biologjike dhe është shumë i rrezikshëm

Luftimet në Sudan janë rigjallëruar sërish pavarësisht një armëpushimi. Nuk ka shenja se palët ndërluftuese në Sudan janë gati të negociojnë seriozisht. I dërguari i OKB-së në Sudan, Volker Perthes ka deklaruar se të dyja palët në konflikt besojnë se mund të sigurojnë një fitore.

“Nuk ka ende asnjë shenjë të qartë se njëri prej tyre është i gatshëm të negociojë seriozisht, duke treguar kështu se sigurimi i një fitoreje ushtarake mbi tjetrin është i mundur. Kjo është një llogaritje e gabuar,” tha ai.

Zonat e banuara në Khartoum janë kthyer në fusha beteje, sulmet ajrore kanë vrarë të paktën 459 njerëz, kanë plagosur më shumë se 4,000, kanë ndërprerë energjinë dhe ujin dhe kanë kufizuar shpërndarjen e ushqimit në një vend ku një e treta e 46 milionë banorëve të saj mbështeten në ndihmën ushqimore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e përshkroi dhunën dhe kaosin në Sudan si katastrofike dhe paralajmëroi se luftimet mund të përhapen në vendet e tjera të rajonit. Ndërkaq eksodi i njerëzve të dëshpëruar për t’iu shpëtuar luftimeve vijon dhe kriza humanitare sa vjen edhe hellohet.

Zyrtarët e OKB-së kanë deklaruar se njëra palë në konfliktin e Sudanit ka marrë kontrollin e një laboratori shëndetësor kombëtar në kryeqytetin Khartoum që mban materiale biologjike, që është jashtëzakonisht të rrezikshëm.

“Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse ne kemi izolime poliomelitit dhe fruthit në laborator. Ekziston një rrezik i madh biologjik që lidhet me pushtimin e laboratorit qendror të shëndetit publik në Khartoum nga një prej palëve luftarake,” është shprehur një zyrtar i OBSH.

Dëbimi i teknikëve dhe ndërprerjet e energjisë elektrike në Khartoum do të thotë se nuk është e mundur të menaxhohen siç duhet materialet biologjike që ruhen në laborator për qëllime mjekësore. Dhjetra spitale janë mbyllur në Khartoum për shkak të luftimeve dhe pakësimit të furnizimeve mjekësore.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share