SHBA: Imami i xhamisë goditet me thikë teksa falte namazin e sabahut

Një imam i xhamisë në qytetin Paterson në shtetin e New Jersey-it në SHBA i populluar nga komuniteti turk dhe mysliman, është sulmuar me thikë teksa po falte namazin e sabahut, raporton Anadolu.

Imami i xhamisë së quajtur “Xhamia Omar”, Sayed El-Nakib u godit me thikë nga sulmuesi i cili u fsheh në mesin e xhematit ndërsa ai ishte në sexhde teksa po falte namazin e sabahut të dielën, më 9 prill.

Në pamjet e kamerave të sigurisë të xhamisë, shihet qartë se sulmuesi i quajtur Sherif Zorba (32), i cili ishte në rreshtin e tretë, ka kërcyer mbi besimtarët të cilët ishin në sexhde dhe ka goditur me thikë imamin 65-vjeçar.

Më vonë, Zorba, i cili kërcënoi me thikë në dorë ata që u përpoqën ta ndalonin, teksa ishte gati të ikte nga dera e xhamisë u kap nga komuniteti dhe u dorëzua në polici.

Thuhet se Imam Al-Nakib, i cili po trajtohej në spitalin Saint Joseph, pak minuta larg xhamisë, nuk ishte në rrezik për jetën.

Në deklaratën e tij thuhet se i dyshuari, i cili ka deklaruar se ishte nga Istanbuli dhe mësohet se ka ardhur në SHBA kohën e fundit, ka marrë pjesë dje në seancën e tij të parë në burgun e Qarkut Bergen, i shoqëruar nga një përkthyes turk dhe akuzohet për “armëmbajtje pa leje dhe tentativë për vrasje”.

Në njoftimin për media, administrata e xhamisë, e cila përfshinte detajet e ngjarjes, nuk përmendi pse Zorba kreu sulmin, por theksohet se hetimet për këtë incident vazhdojnë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share