COVID-19: Tri vjet pandemi – Koronavirusi është “gjallë”

Ulet intensiteti i infektimeve, dominon varianti “kraken”

Më 11 Mars 2020, OBSH-ja shpalli pandeminë me COVID-19, pasi ky virus fillimisht u shfaq në Vuhan të Kinës në Dhjetor 2019.

Bota u përball me orë policore, mbajtje të maskave mbrojtëse, kufizimin e ngjarjeve publike, testime massive për COVID-19, mësim online dhe punë nga shtëpia, njofton KlanM.

Përditshmëria e njerëzve u ndryshua për 360 shkallë. Tri vite më vonë, pasojat e pandemisë ende ndjehen rreth nesh. Shumica e kanë të vështirë të kthehen në përditshmërinë normale.

Koronavirusi vazhdon të mbetet i pranishëm në mesin tonë.

Në Janar, Shkurt dhe Mars të këtij viti, sic njofton KlanM, në Klinikën për Sëmundje Infektive janë mjekuar 69 pacientë me diagnozë të COVID-19, kurse për momentin trajtohen 6 pacientë.

Gjatë kësaj periudhe kanë ndërruar jetë 7 pacientë.

Autoritetet e shëndetësisë në RMV thonë se varianti i fundit i dëshmuar i COVID-19 në vendin tonë është “krakeni”, një nënvariantë e “Omicronit” që është tepër infektues.

Instituti për Shëndet Publik, sic percjell KlanM, njofton se nga 20 Shkurti 2020 deri më 5 Mars 2023 janë testuar 2.230.788 materiale.

Prej tyre 347.182 kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Në Maqedoninë e Veriut janë shënuar 9.668 raste të vdekjeve si pasojë e koronavirusit.

Rasti i parë me COVID-19 në vendin tonë ishte konfirmuar më 26 Shkurt 2020. Më 18 Mars 2020 Qeveria shpalli situatë të jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendit.

Vaksinimi anti-covid, sic njofton KlanM, nisi më 17 Shkurt 2021. Deri më 5 Mars 2023, me një dozë janë vaksinuar 876.031 qytetarë, kurse komplet me dy doza 857.128.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share