STADIUMI QYTETIT NË TETOVË GATI PAS DHJETË DITËVE
Ekipi i Shkëndijës edhe në javën e katërt të kampionatit do të jetë nikoqire jashtë Tetovës. Derbi i javës së katërtë në sezonin e ri të Ligës së Parë të futbollit vendor Shkëndija – Struga Trim Lum do të zhvillohet të dielën me fillim në orën 16:00, në stadiumin e Akademia Pandev në Strumicë.
Arsyet pse ndeshja derbi Shkëndija – Struga Trim Lum do të zhvillohet në Strumicë janë të natryrës objektive shkaku i dëmtimit të shtresës së barit. Drejtuesit e klubit ishin të detyruar që ta zëvendësojnë kurse punimet janë në përfundim e sipër dhe me njëjta do të jetë në funksion brenda dy javëve në ndeshjen e javës së gjashtë më 4 shtator, në takimin Shkëndija – Makedonija Gj.P, eventualisht në ndeshjen e xhiros së tetë më 17 shtator kundër Shkupit.
Klan Maqedoni ishte I pranishëm në Stadiumin e Qytetit në Tetovë dhe siç po shihet nga pamjet, ekipi profesional për sanimin e dëmtimeve të barit në stadium maksimalisht është duke punuar për të sanuar fushën e lojës.
Sipas ekspertëve, dëmtimi i barit ka ardhur si pasojë e temperaturave të larta dhe shirave.
Ndryshe dy ndeshjet e para të sezonit të ri Shkëndija i luajti si vendase në Strugë, pasi fusha e tetovarëve ishte pezulluar nga Komisioni Disiplinor i FFM-së si pasojë e ndodhive në duelin e sezonit të shkuar, Shkëndija-FC Shkupi.
Ndeshja Shkëndija – Struga Trim Lum cilësohet si derbi i javës së katërt, pasi ekipi strugan në tre xhirot e para ka po aq fitore dhe kryeson tabelën me 9 pikë maksimale./KlanMacedonia/