MICKOSKI: MËNYRA MË E LEHTË PËR TË HESHTUR NJË RAST ËSHTË TË FORMOHET KOMISION
Redaksia e IRL-së, Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata maqedonase e Juristëve të Rinj, nëpërmjet një komunikate të përbashkët kanë reaguar ndaj konferencës për media të Ministrisë Shëndetësisë në lidhje me rastin “Gjaku i papastër”. Në reagimin e tyre thuhet se, porositë bindëse të ministrit Bekim Sali se, askush nuk është mbi ligjin dhe se rasti do të ketë zgjidhje ligjore, u zbutën menjëherë me deklarata të papërshtatshme se “kovid është sëmundje e re dhe se asnjë vend nuk mund të konfirmojë se ajo çfarë është bërë gjatë pandemisë është mjekësi e bazuar në prova”.
“Është e pashmangshme përshtypja se persona kompetent nga Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Oda e mjekëve dhe Agjencia e Barnave, të cilët u drejtuan në konferencë për media, tentuan t’i relativizojnë informatat dhe deklaratat nga filmi dokumentar. Kompetencën për përgjigje, siç ndodh edhe zakonisht, ia kanë hedhur institucioneve dhe i drejtuan lutje opinionit dhe mediave për më shumë kohë, që institucionet kompetente ta vërtetojnë gjendjen faktike”, deklaruan nga IRL, KH dhe SHMJR
Ata më tej kanë shtuar se, faktet që prezantoi Ministria e Shëndetësisë duhej ta bindnin opinionin se në zinxhirin e përgjegjësisë për rastin “Gjaku i papastër”, Qendra për Shëndet Publik është institucioni i parë i cili pranon informatën nëse në ndonjë institut shëndetësor ka infeksione intrahospitalore. Por në konferencën për media nuk kishte përfaqësues nga ky institucion dhe kjo, sipas tyre, tregon për transparencë të pamjaftueshme dhe hapë dyshime shtesë. Ndërkohë, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski duke komentuar sot para mediave, ka shprehur pesimizmin se ky rast do të ketë një epilog.
“Mënyra më e mirë për të heshtur një çështje është të formohet komisioni dhe pastaj ajo do të shpërbëhet dhe rezultatet e komisionin të atij komisioni mund të mos shihen asnjëherë. Ai që ka këshilluar ministrin e ka këshilluar në mënyrë të gabuar, apo, nuk dua të konstatoj por, nëse atë e ka bërë me vetëdije atëherë ndoshta mund të shpallet si bashkëpjesëmarrës në opinion”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Në hulumtimin e redaksisë IRL, “Gjaku i papastër”, Klinika e Zhan Mitrevit gjatë mjekimit të pacientëve me covid – 19 ka përdorur metodën e hemofiltrimit. Për këtë mjekim pacientët kanë paguar shuma të mëdha të parave, por praktikisht ajo ka qenë studim klinik dhe pacientët e as familjarët e tyre nuk kanë qenë të njoftuar për këtë./KlanMacedonia/