Oftalmologët: Duhet kujdes, pasi ky problem prek edhe moshat e reja
Diabeti mund të prekë të gjitha pjesët e trupit, duke përfshirë edhe sytë. Humbja e shikimit zakonisht mund të parandalohet nëse problemet diabetike të syrit zbulohen herët, sipas mjekut oftalmolog Pajtim Lutaj.
Megjithatë sipas oftalmologut, diabeti tip 2 ka një sërë faktorësh, siç janë kequshqyerja apo dhe stili i jetesës.
Ndërsa oftalmologu nga Spitali Universitar I Liverpulit, Simon Harding shprehet se diabeti i syve nuk kursen as moshat fare të reja, të cilët edhe pse janë diagnostikuar me këtë problem, tregohen neglizhentë.
“Diabeti i syrit prek te gjitha grupmoshat, por nëse flasim për të rinjtë ata preken më shumë nga diabeti i tipit 1 që kërkon patjetër insulinë. Kjo grupmoshë shpesh nuk e pranon këtë problem dhe refuzon ta marrë insulinën, e për shkak të kësaj ata paraqiten te specialisti me një stad më të avancuar të problemeve të syrit. Gjithashtu një grup tjetër me problem të diabetit janë mosha e tretë, të cilët njëkohësisht janë dhe obezë. Kjo kategori po humbet gjithnjë e më shumë shikimin për shkak të diabetit. Edhe Covid-19 ka ndikuar për keq tek problemet me diabetin, gjë e cila do evidentohet edhe më shumë në vitet e ardhshme”.
Duke marrë shkas nga shtimi i personave që vuajnë nga diabeti i syrit, gjatë Kongresit Ndërkombetar ku morën pjesë specialistë nga trevat shqipfolëse, por edhe vende të ndryshme të Europës, kjo ishte tema kryesore e konferencës.
Klan News