Merr fund në Pogradec arratia e “fizioterapistit” turk të shumëkërkuar

Policia e Shtetit: Shërbimet e Fast Albania, pas marrjes së informacionit se një shtetas, i shumëkërkuar nga Turqia fshihej në Pogradec, organizuan punën dhe pas disa ditë mbajtjeje nën kontroll, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, finalizuan operacionin policor të koduar “Pojska”.

Si rezultat i këtij operacioni, në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasi turk: -Salih Akkurt, 42 vjeç, banues në Konya, Turqi.

Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë shtetas, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, të datës 30.12.2020, në bazë të të cilit, 42 vjeçari është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vite e 1 ditë burgim, për veprat penale “Mashtrimi i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuara nga legjislacioni turk.

Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare. Për t’u maskuar, ky shtetas mashtronte qytetarët përmes ushtrimit të profesionit të fizioterapistit.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara, Turqi, dhe agjencitë ligjzbatuese vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Turqisë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share