MINISTRI I ARSIMIT I PAINFORMUAR PËRSE JANË NDALUAR PUNIMET
I vendosën tullat dhe i lanë punimet në gjysmë. Kështu duket shkolla fillore në hyrje të fshatit Paniçar të Komunës së Sarajit. Pyetëm ministrin e Arsimit Jeton Shaqiri se kur do të përfundojë ndërtimi dhe përse punimet janë stopuar, raporton KlanMacedonia.
“Ka raste edhe kur kemi ndalesa për arsye qoftë të problemit të kompanisë ose ndonjë problemi teknik që është ndalur ndërtimi i shkollës. Por ju siguroj që çdo projket që është filluar nga Ministria e Arsimit do të përfudojë. Por realisht dua ta shoh se ku është problemi i këtij projekti ” – tha Jeton Shaqiri.
Kohë më parë kryetari i Komunës së Sarajit për Klan Maqedoni pati deklaruar se pandemia dhe kriza energjetike kanë bërë që të ngushtohet buxheti i Komunë ndërsa nuk dha datë të saktë se kur do të përfundojë ndërtimi i kësaj shkolle.
“Të gjitha obligimet dhe detyrimet mbeten përkushtim i yni por me ndryshimet e kohës do t’i lëmë hapësirë edhe ndryshimeve që reflektojnë në buxhet por gjithsesi janë përcaktim i yni dhe gjithçka që është përcaktim i yni edhe përsaj vonesave që mund të ndodhin do të kryhen” – tha Blerim Bexheti, kryetar i Sarajit.
Në shkollën Ibe Palikuqi mësojnë 25 nxënës me klasa të kombinuara, ngrohen me koftore, ndërsa toaletin e kanë jashtë shkollës dhe nuk ka ujë. /Klanmacedonia/