12 fëmijë në mesin e 39 të shpëtuarve nga varka me emigrantë në Kanalin Anglez

12 fëmijë ishin në mesin e 39 personave të shpëtuar nga varka e emigrantëve, e cila hasi në vështirësi në Kanalin Anglez. Emigrantët ishin në një varkë e cila nisi të fundosej në ujërat midis Kentit dhe Francës. Ekuipazhet e një anije peshkimi aty pranë dhe varkat e shpëtimit ndihmuan në shpëtimin e emigrantëve. Po ashtu, një operacion kërkimi për 4 persona të cilët raportohen të zhdukur po kryhet me dron.

“Realiteti është se ata tani po kërkojnë trupa të vdekur dhe jo të mbijetuar”, tha një gazetar i BBC News.

Fëmijët që u shpëtuan janë marrë nën kujdes nga Këshilli i Qarkut Kent. Në një mbledhje të Këshillit të Qarkut Kent u bë me dije se 1 adoleshent ishte në mesin e 4 personave të cilët vdiqën në incident.

Në një deklaratë të përbashkët, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca u zotuan të “shkatërrojnë” modelin e biznesit të bandave të kontrabandës së njerëzve. Sekretarja e Brendshme Suella Braverman dhe homologu i saj francez Gérald Darmanin thanë se tragjedia theksoi nevojën për të parandaluar së bashku kalimet.

Televizioni Klan konfirmon se një i ri shqiptar është mes të mbijetuarve. Ai gjendet në spitalin Kantebëri, ku autoritetet po saktësojnë kombësinë e të mbijetuarve të tjerë.

Mediat britanike citojnë drejtuesin e një anijeje peshkimi që ndihmoi në operacionet e shpëtimit, i cili tha se shumica emigrantëve ishin nga Afganistani, Iraku, Senegali e India. Ata u thanë autoriteteve se u kishin dhënë nga 5 mijë euro për person 1 trafikanti që i kishte marrë nga brigjet e Francës./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share