BEQIRI: TË JESH TRAJNER I SHKËNDISË ËSHTË PRIVILEGJ DHE KËNAQËSI
Jeton Beqiri është trajneri i ri i Shkëndijës së Tetovës. Lajmi i raportuar nga Klan Maqedoni disa ditë më parë është zyrtarizuar sot nga skuadra tetovare me një postim në rrjete sociale. “Kur shtëpia thërret, zemra vendos”. Kështu është prezantuar te Shkëndija, trajneri i sapoemëruar i cili edhe më parë ka punuar në këtë klub.
“Të jesh trajner i Shkëndijës është privilegj dhe kënaqësi shumë e madhe, por në të njejtën kohë është edhe përgjegjësi dhe një sfidë e imja personale. Për këtë pjesë dua të falënderoj kryesinë e klubit dhe pronarët për besimin e dhënë, duke shpresuar që në fund edhe rezultatet të na japin të drejtë dhe të jemi ekip i cili do jetë shumë dominues, do jetë një ekip i cili do të tregojë lojëra të mira në pranverë” – tha Jeton Beqiri.
Beqiri premton punë maksimale për të arritur objektivat dhe për të merituar mbështetjen e tifozëve.
”Unë mendoj se nuk është koha e premtimeve, por është koha që ne të punojmë shumë. Ti përvishemi punës dhe të punojmë në mënyrë maksimale me qëllimin e vetëm që të kemi edhe mbështetjen e tifozëve. Veçanërisht tifozëve të mrekullueshëm siç janë “Ballistët”. Dhe unë besoj që ne me punën që do e bëjmë dhe punën e futbollistëve që do e bëjnë në fushë, që ne duhet të meritojmë mbështetjen e tifozëve” – tha Jeton Shaqiri
Strategu 41 vjeçar Jeton Beqiri së fundmi punoi në Arabinë Saudite si menaxher. Ai në Arabi u transferua pasi udhëhoqi Bylisin drejt ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar. Paraprakisht ishte trajner i parë te Struga Trim Lum, Renova, Gostivari e Drita, derisa si ndihmës trajner ka punuar edhe te Flamurtari i Vlorës. /KlanMacedonia/