Zyrtare, ceremonia e kurorëzimit të Mbretit Charles III do të bëhet vitin e ardhshëm në 6 Maj

Kurorëzimi i Mbretit Charles III do të bëhet vitin e ardhshëm, të shtunën e 6 Majit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Pallati Mbretëror.

Ceremonia fetare do të mbahet në Westminster Abbey të Londrës dhe do të drejtohet nga Kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby, shkruan Sky News.

Charles do të kurorëzohet bashkë me gruan e tij Camilla. Deri më tani gjasat janë që ceremonia për kurorëzimin e tij të jetë shumë me modeste dhe e shkurtër në krahasim me ceremonitë e mëparshme. Mendohet se ajo do të zgjasë për rreth një orë.

Në deklaratën e pallatit mbretëror thuhet se ceremonia do të reflektojë rolin e monarkut që shikon drejt të ardhmes, ndërsa në thelb do të ketë traditat mbretërore.

Kurorëzimi i mbretërëshës Elizabeth më 3 qershor të vitit 1953 zgjati për tre orë, ndërkohë që morën pjesë 8000 personalitete nga e gjithë bota. Ngjarja u transmetua live në televizion duke tërhequr audiencë rekord në mbarë botën.

Në atë kohë, mijëra njerëz dolën në rrugë për të parë mbretëreshën në karrocën e artë të shtetit, e cila është përdorur për kurorëzime që nga mbreti George IV.

Nuk dihet nëse ajo do të përdoret këtë për kurorëzimin e mbretit Charles III. Megjithëse Mbreti hypi në fron kur vdiq nëna e tij, ceremonia e kurorëzimit shënon ushtrimin zyrtar të pushtetit mbretëror të një monarku.

Charles do të lyhet me vaj të shenjtë, të shenjtëruar nga kryepeshkopi. Ai do të kurorëzohet me kurorën e Shën Eduardit. E njëjta procedurë pritet të ndiqet edhe me bashkëshorten e tij Camilla.

Data e kurorëzimit është gjithashtu ditëlindja e djalit të Dukës dhe Dukeshës së Sussex, Archie, nipi i Mbretit, i cili do të mbushë katër vjeç atë ditë.

Nuk ka ende asnjë detaj se kush do të marrë pjesë në ceremoni, përfshirë këtu edhe Princin Harry dhe Meghan. Nuk dihet ende nëse ata do të ftohen apo do të jenë në gjendje të udhëtojnë nga Kalifornia për të marrë pjesë.

Charles III do të jetë 74 vjeç majin e ardhshëm, duke e bërë atë personin më të vjetër që është kurorëzuar në historinë britanike.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share