Zjarri në spitalin modular në Tetovë/ Rasti kthehet në rigjykim – familjarët, para drejtësisë nuk janë fajtorët e vërtetë!

Një pjesë e rastit ndaj dy drejtorëve të spitalit të Tetovës për rastin e zjarrit në të cilin u dogjën 14 pacientë tre vjet më parë në një spital montazhi Covid po kthehet në rigjykim.

Gjykata e Apelit në Gostivar ka vendosur që nga fillimi ta kthejë procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ishte i paqartë. Në ankesë në aktgjykim thuhet se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund të vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Tetovë vitin e kaluar i dënoi drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi me burgim me kusht prej një viti e gjysmë për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Ata nuk do të shkojnë në burg nëse nuk kryejnë një krim të ri në tre vitet e ardhshme.

Në momentin e rënies së zjarrit në krye të spitalit ishte Besimi, ndërsa drejtor ekonomik Etemi.

Spitali i Tetovës si institucion shëndetësor është dënuar me rreth 16 mijë euro gjobë, kurse mjeku Boban Vuçevski, i cili ka qenë në shërbim natën kur ka rënë zjarri, në gjykimin në shkallë të parë është shpallur i pafajshëm nga akuza se nuk ka vepruar sipas rregullave shëndetësore.

Prokuroria e Tetovës, e pakënaqur me aktgjykimin, e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit në Gostivar.

Prokuroria kërkoi që drejtorët të marrin një dënim më të ashpër, të rrëzohet pafajësia e mjekut dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Familjarët nuk presin asgjë të re. Ata për Klan Macedonia kanë deklaruar se aktorët dhe fajtorët kryesor nuk janë të ulur përpara drejtësisë.

Mumin Ismaili i cili në natën e kobshme humbi nënën kërkon që në gjykatë të vijnë ish-krerët e lartë politik dhe firma “Brako”./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share