Zjarri në spitalin modular: Edhe pas nëntë muajve ende s’ka përgjegjësi penale

PROKURORIA: VENDIMI ËSHTË NË FAZËN PËRGATITORE

Nëntë muaj pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, ende nuk ka përgjegjësi penale mbi këtë. Prokuroria Themelore Publike tre javë më parë paralajmëroi se po përgatiten aktakuza për lëndën dhe ka të dyshuar, por nuk kanë ndarë detaje më precize. Të pyetur sot nga Klan M, nga prokuroria thanë se vendimi është ende në fazën përgatitore.

PROKURORIA

“Vendimi i Prokurorisë Publike është në fazën e përgatitjes. E përgatit ekipi i prokurorisë i cili punon në lëndën. Sapo të përgatitet, prokuroria do ta informojë opinionin për të gjitha detajet sa i përket përcaktimit të përgjegjësisë penale”.

Ndryshe, dje në Komisionin parlamentar për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve, dështoi debati për djegien e spitalit modular në Tetovë dhe djegien e autobusit të “Besa Trans”. Diskutimi për këto dy tema u zhvillua vetëm mes opozitës, pasi deputetët e LSDM-së dhe BDI-së nuk morën pjesë në komision, pas çka nuk u krijua kuorumi për punë.

Kujtojmë se, më 8 shtator të vitit të kaluar, shpërtheu zjarr në spitalin modular të Tetovës, që përfshiu gjithë objektin. Si pasojë e këtij zjarri, humbën jetën 14 persona. Në hetime në lidhje me këtë rast gjatë të njëjtit muaj morën pjesë edhe ekspertë dhe hetues nga Policia Kriminalistike Federale nga Gjermania. Raporti i tyre prej shtatë faqeve në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë ka arritur më 14 janar.

Prokuroria në tetor të vitit 2021 njoftoi se sipas ekspertizës së MPB-së zjarri në spitalin modular ka qenë pasojë e kabllos vazhduese të ndezur, në të cilën ka qenë i kyçur aparati për reanimacion, një mbushës telefoni dhe një pajisje tjetër. /KlanMacedonia/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share