Zjarret shkrumbojnë një fshat të tërë në Kroaci

Zjarret e fuqishme të nxitura nga i nxehti afrikan kanë djegur një fshat të tërë në Kroaci. Fshati Grebasticë është shkatërruar nga zjarri, me makina, shtëpi dhe objekte të djegura. Tymi mund të shihej nga plazhet turistike aty pranë.

“Ne e blemë këtë shtëpi një vit më parë dhe para 10 ditësh kemi përfunduar rinovimin. Dhe tani gjithçka u dogj dhe çfarë mund t’ju them, mund ta shihni vetë. Gjithçka ishte e re, gjithçka ishte e mobiluar, gjithçka.”

56 zjarrfikës me 20 automjete dhe tre avionë, u përpoqën të frenonin zjarrin që po përhapej me shpejtësi për shkak të erërave të forta jugore pranë Shibenikut. Sipas meterologëve temperaturat pritet të qëndrojnë rreth 40 gradë Celsius në të gjithë rajonin javën e ardhshme.

Në dallim nga vendet e tjera ku i nxehti afrikan ka përfshirë një pjesë të madhe të Europës Jugore, një stuhi e fortë ka shkaktuar dëme të konsidetueshme në Vojvodinë mbrëmë. E shoqëruar me erëra të forta breshëri që ra kishte madhësinë e një topi tenisi.

Stuhia e fuqishme shkatërroi grilat e shtëpive si dhe theu xhamat e shumë banesave. Në rrjetet sociale janë publikuar shumë video që tregojnë se çfarë apokalipsi ka përfshirë Serbinë.

Ndërkaq alarmet për të nxehtin afrikan janë vendosur në të gjithë ishujt Kanarie të Spanjës, Italinë, Qipron dhe Greqinë, me autoritetet greke që presin që temperaturat të arrijnë deri në 44 Celsius përgjatë fundjavës. Italia njoftoi se një paralajmërim për të nxehtin ekstrem është në fuqi në 15 qytete, përfshirë Romën, Bolonjën dhe Firencen si dhe veçanërisht në Sardenja dhe Siçili ku temperaturat kanë arritur në 48 gradë Celsius.

Temperaturat e larta kanë përfshirë gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Banorët në veriperëndim të Meksikës, u urdhëruan të shmangin daljet nga shtëpitë dhe përpiqen të mbahen të hidratuar.

Këtë javë në Meksikë mërkuri u rrit në 51 gradë Celsius. Meksika vazhdon të thyejë rekorde të temperaturës çdo ditë, përkeqësuar nga reja e pluhurit Saharian që lëviz përtej Oqeanit Atlantik. Për më tepër, sinoptikanët paralajmërojnë temperatura të larta deri në 43 gradë Celsius.

Vala e të nxehtit goditi Meksikën në prill dhe maj, sipas të dhënave nga Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës. Këtë vit, ekspertët thanë se ajo u përkeqësua nga thatësira.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share