Zjarret në Spanjë dalin jashtë kontrollit

Mbi 500 njerëz janë evakuuar dhe mbi 7 mijë hektarë tokë janë djegur, dyshohet se zjarret janë të qëllimshme

Qindra zjarrfikës janë vendosur në dispozicon teksa zjarret në jugperëndim të Spanjës kanë dalë jashtë kontrollit.

Mbi 7,500 hektarë tokë janë djegur ndërsa më shumë se 500 qytetarë janë evakuuar. Zjarret e fuqishme janë përhapur në zonat Las Hurdes dhe Sierra de Gata në veri të Extremadurës. Erërat e forta po pengojnë punën e zjarrfikësve që të shuajnë flakët. Qeveria rajonale beson se zjarri është vendosur qëllimisht.

Njerëzit në tre fshatra Cadalso, Descargamaría dhe Robledillo de Gata janë evakuuar dhe tre rrugë kryesore janë mbyllur. Anëtarë të njësisë së emergjencave ushtarake, 10 mjete tokësore, gjashtë avionë, tetë helikopterë dhe 23 automjete janë vendosur gjithashtu në dispozicon për të vënë nën kontroll zjarret.

“Problemi nuk janë burimet njerëzore dhe material. Problemi është era deri në 60 km në orë, të cilat po e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë kontrollin e zjarrit”, tha presidenti i Extremadura, Guillermo Fernández Vara, gjatë një vizite në zonën e prekur.

Kryeministri i Spanjës anuloi një udhëtim për fushatën në rajon përpara zgjedhjeve lokale dhe rajonale të javës së ardhshme. Pedro Sánchez tha se po ndiqte nga afër situatën dhe u ofroi atyre që prekeshin mbështetjen e tij të plotë.

Autoritetet i kanë bërë thirrje banorëve që të njoftojnë menjëherë policinë në rast se identifikojnë persona të dyshimtë që tentojnë të vendosin zjarrin.

Shërbimet lokale të urgjencës u kërkuan gjithashtu njerëzve që të qëndrojnë larg zonave të prekura në mënyrë që të mos bllokojnë rrugët e evakuimit.

Një dimër jashtëzakonisht i thatë në pjesë të jugut të kontinentit evropian dhe thatësira afatgjatë që Spanja po përballet dhe reshjet nën mesataren, ka bërë që rreziku i zjarreve të rënda të rritet në vend.

Zjarret vitin e kaluar dogjën më shumë se 50 mijë hektarë tokë. Qeveria spanjolle miratoi javën e kaluar një plan prej 2.2 miliardë Eurosh për të ndihmuar fermerët dhe konsumatorët të cilët po përballen me thatësirë e cila është përkeqësuar nga prilli i cili rezultoi më i nxehti në histori.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share