Zjarrëfikësit e Tetovës: Ekip i vogël – me zemër të madhe

AMETI PËR “HAPPY DAY”: SHTETI TË INVESTOJË NË EKIPET E SPECIALIZUARA KUNDËR TËRMETEVE

Për “Happy Day” Komandanti i Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, ka rrëfyer përjetimet dhe sfidat gjatë këtyre operacioneve.

Udhëtuan në qytetin Adijaman një ditë pas tërmetit katastrofal në Turqi, kurse u kthyen dje të martën në orët e hershme të mëngjesit. Nëntë zjarrfikësit e Tetovës, u bënë pjesë e aksionit global në operacionet e kërkim – shpëtimit në Turqi.

”Të shpëtosh një jetë, është sikur me shpëtuar tërë njerëzimin”- citon Ameti në “Hapyy Day” në KlanM, këtë thënie që është shndërruar në simbol të operacioneve në Turqi. Veçon shpëtimin e jetës së një 38-vjecareje nën rrënojat. Një përpjekje kjo 6 orëshe për një grua që kishte qëndruar nën gërmadha 116 orë.

“Patëm fatin që të shpëtojmë një 38-vjecare, bashkërisht me grupet që ishim atje, përfshirë këtu grupin e Strumicës dhe Çairit dhe gjithë DMSH-në. Ishte fati që derisa ishim duke e nxjerrë një kufomë nga gërmadhat dëgjuam zërin e saj dhe bëmë përpjekjet duke hapur korridoret që të mbërrijmë deri tek e mbijetuara” – tha Avni Ameti, komandanti i Njtkz-Tetovë.

Ameti, ka një thirrje për autoritetet e vendit. Të investohen mjete dhe resurse njerëzore në ekipe të specializuara për tërmete dhe përmbytje.

“9 zjarrfikësit e Tetovë dhe 9 të Strumicës të cilët vazhdimisht trajnohen dhe pajisen me mjete për raste tërmetesh dhe vërshimesh dhe ky grup duhet të jetë më I madh dhe duhet të investohet në këtë drejtim pasi RMV-ja është në vijën e rrezikut nga tërmetet” – tha Avni Ameti.

Nëntë zjarrfikësit e Tetovës janë pritur edhe nga Kryetari I Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, I cili në emër të qytetarëve i ka falënderuar për kontributin e dhënë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit në Turqi. Ai, është zotuar për më shumë mbështetje dhe rëndësi për këtë njësi kundër zjarrit.

“Ne duhet të përgatitemi sa më shumë dhe sa më mirë, mos dhashtë zoti, nëse ballafaqohemi me situata të këtilla, që të mund të intervenojmë dhe të shpëtojmë prona dhe jetë njerëzish” – tha Bilall Kasami.

Ndërkaq, edhe Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu ka mirëpritur dhe ka falënderuar sot ekipin e shpëtimtarëve të Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve “Bajram Miftari” të Komunës së Çairit, të cilët u kthyen nga aksioni i shpëtimit që realizuan në rajonet turke të goditura nga tërmeti katastrofik më 6 shkurt.

 Ndryshe, Komuna e Çairit dje ndau 600.000 denarë ndihmë financiare për të prekurit nga tërmeti në Turqi. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share