Ziberi: Vazhdojnë diskriminimet në baza etnike gjatë punësimeve në institucionet publike!

Nëpër shumë institucione publike, gjatë punësimeve ende ekzistojnë diskriminime në baza etnike – tha Avokati I Popullit, Naser Ziberi, gjatë prezantimit të Raportit të veçantë për vitin 2023 që ka të bëjë me ndjekjen e zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në sektorin publik. Ai ka bërë thirrje që institucionet ta zbatojnë parimin e përfaqësimit të drejtë.

Nga Raporti i veçantë për vitin 2023, i cili ka të bëjë me monitorimin e zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në sektorin publik, janë nxjerrë të dhënat se numri i të punësuarve në nivel të përgjithshëm në sektorin publik është ulur për 2,488 persona për dallim nga viti 2022, bëri të ditur Avokati i Popullit, Naser ZIberi.

NASER ZIBERI

“Nga analiza e bërë e këtij Raporti të veçantë, janë nxjerrë të dhënat se numri i të punësuarve në nivel të përgjithshëm në sektorin publik është ulur për 2,488 persona për dallim nga viti 2022, kur numri i përgjithshëm i të punësuarve ishte 130,377 persona, ndërsa në vitin 2023 ky numër është 127,889 persona”.

Zyberi bëri të ditur që me përditësimin e ri të institucioneve për personat e punësuar në këto institucione të sektorit publik, përfaqësimi i maqedonasve në vitin 2022 në sektorin publik ishte 71,9%, ndërsa përfaqësimi i shqiptarëve përgjatë vitit të njejtë ishte 21.4%.

NASER ZIBERI

“Me përditësimin e ri të institucioneve, si dhe me të dhënat e mbledhur për personat e punësuar në këto institucione të sektorit publik, vërehen këto të dhëna: përfaqësimi i Maqedonasve në vitin 2022 në sektorin publik ishte 71,9%, ndërsa për vitin 2023 është 71,6%, që paraqet një rënie prej 0,3% krahasuar me një vit më parë, por është më i lartë me 13,16 % krahasuar me popullsinë rezidente të vendit në krahasim me rezultatet e censusit të fundit të popullsisë të vitit 2022.Përfaqësimi i Shqiptarëve në vitin 2022 ishte 21,4%, ndërsa këtë vit raportues është 21,7%, që paraqet një rritje prej 0,3%, por është më i ulët për 2,6 % krahasuar me popullsinë rezidente të vendit”.

Avokati i popullit u rekomandon të gjitha institucioneve dhe enteve të sektorit publik që të zbatojnë në mënyrë adekuate parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si postulat kushtetues. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share