Koalicioni VLEN ka bërë një deklaratë të ashpër ndaj drejtuesit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Shkodran Tolaj, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe neglizhencë në detyrën e tij.
VLEN thekson se Tolaj, i cili është këngëtar personal i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, nuk ka arritur të avancojë kulturën shqiptare dhe ka dështuar në trajtimin e statusit të punonjësve të ansamblit.
Kërkojnë që edhe prokuroria publike ta hetojë rastin.
“Koalicioni VLEN, si pjesë e qeverisë, dënon ashpër veprimet e drejtorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, Shkodran Tolaj. Ai ka pasur rastin të trajtojë statusin e artistëve, por ka zgjedhur të ndjekë të njëjtën rrugë të paaftësisë dhe neglizhencës si çdo institucion tjetër i drejtuar nga BDI dhe satelitët e saj. I bëjmë thirrje edhe prokurorit publik që të hyjë në këtë institucion dhe të hetojë nëse ka keqpërdorime edhe më të mëdha në funksionimin e tij”, thonë nga VLEN.
Më në fund u zbulua kush qëndron pas kësaj fushate linçuese e të gërditshme ndaj meje si drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV – thotë në reagim Drejtori I Ansamblit, Shkodran Tolaj, duke drejtuar gishtin drejt koalicionit VLEN.
“Ju që flisni për paaftësi, pse nuk i shfrytëzuat aftësitë e juaja që ky problem të zgjidhet sepse kërkesën për pëlqime të vendeve të punës e keni të arkivuar në Ministrinë e Kulturës nga unë si drejtor që me datë 15 qershor por akoma nuk e keni procesuar deri në Ministrinë e Financave?!” shkruan Tolaj.
Tolaj shkruan se Pavarësisht politikës që bëjnw dhe në pamundësi për ta zgjidhur problemin, artistët e ansamblit nuk e kanë merituar këtë manipulim me ta!
Sipas tij, Ansambli shqiptar do jetojë dhe vazhdojë të ekzistojë e të shkëlqejë, sepse është institucion që tashmë nuk zhbëhet! /tvklan.mk