Zhvillimet në M-NAV, delegacioni i BE-së fton në bisedë kreun e sindikatës

TASEVSKI: MË 10 JANAR MBYLLJE E HAPËSIRËS AJRORE, NËSE NUK SHKARKOHET BORDI

Zhvillimet e fundit në kompaninë shtetërore Navigacioni i Maqedonisë M – NAV po ndiqen edhe nga faktori ndërkombëtar.  Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimeve në M-NAV, Aleksandar Tasevski sot me ftesë të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, ishte në bisedë për këto zhvillime. Ai tha se, ka marrë mbështetje të plotë nga delegacioni i BE-së, ndërsa njoftoi se ka njoftuar edhe sindikatat evropiane.

“Ato ishin shumë mirë të informuar rreth asaj se çfarë po ndodhë me gjithë këto njerëz që janë të përfshirë në këto ngjarje. I kuptuan tërësisht kërkesat tona për profesionalizëm. Thanë se do t’i ndjekin zhvillimet, na dhanë mbështetje të plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve që i kemi në dispozicion. I informuan të gjitha sindikatat në Evropë, kemi mbështetje, madje po organizohet edhe ardhja e tyre këtu si mbështetje” – tha Aleksandar Tasevski, kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimeve në M-NAV

Tasevski paralajmëroi se në rast se, Qeveria nuk e shkarkon bordin drejtues të M – NAV, janë të vendosur që më 10 janar të mbyllin hapësirën ajrore mbi Maqedoninë, sepse siç u shpreh, beteja zhvillohet edhe për sigurimin dhe garancën e sigurisë së çdo udhëtari që udhëton me avion.

Ndërkohë, drejtori i M-NAV, Fahrudin Hamidi deklaroi se, siguria nuk është rrezikuar dhe as nuk do të rrezikohet, ndërsa akuzoi Tasevskin për shpifje.

“Për fat të keq, kolegët e tij dolën pas tij, megjithëse i kuptoj mirë, sepse në fund do të qëndrojnë pas tij edhe pse janë të mashtruar në këtë rast. Unë nuk i lë vetëm kontrollorët e mi. Tasevski flet për nepotizëm dhe gjëra të tjera. Ai vetë është nepotizëm, babai i tij ka qenë shef, ka qenë i punësuar në të njëjtën kohë dhe vëllai i tij është i punësuar edhe si kontrollor” – tha Fahrudin Hamidi, drejtor i M-NAV.

Pas sulmit të djeshëm të të punësuarve në hapësirat e objektit të M-NAV, Qeveria miratoi vendim që në seancën e ardhshme qeveritare, të propozohet shkarkimi i gjithë menaxhmenti dhe gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të këtij institucioni, si dhe të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit dhe bordit drejtues në një proces publik, transparent dhe të përcaktuar me ligj.  /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share