Zhvillimet në ASH / Përplasje për kongreset e ASH-së

Dy Kongrese do të mbajnë dy krahët e ASH-së. Lideri aktual, Arben Taravari, pasi dje zyrtarizoi se do të jetë kandidat për president të vendit i mbështetur nga opozita shqiptare e bashkuar në Lidhjen Evropian për Ndryshim, për sonte në ora 19.00 ka thirrur Kongresin e Jashtëzakonshëm të partisë.

“Në bazë të nenit 31, pika 1, të Statutit të Aleancës për Shqiptarët, thërras Kongres të jashtëzakonshëm e premte, 16 shkurt 2024, ora 19:00, në Aleksandar Palace në Shkup.  Ndryshimi Ka Nis!” – shkruan Taravari në Facebook.

Ndërkohë, Azir Aliu në konferencën e sotme për shtyp tha se Kongresi i jashtëzakonshëm që do të mbahet të dielën nga krahu i Selës në ASH është i jashtëligjshëm.

“Duhet të kenë 2/3 e kuvendarëve legjitim të Kuvendit të partisë, por kanë votuar siç thash më lartë vetëm 69 prej tyre. Konstatojmë se kjo është shkelje e rëndë e statutit të partisë, por edhe vepër penale pasi nënkuptohet se është bërë manipulim i listës së kuvendarëve”, tha Azir Aliu.

Janë kundërpërgjigjur edhe nga krahu i Ziadin Selës.

“Të dielën mbahet Kongresi i Aleancës për Shqiptarët. Nuk ka ndryshim date dhe lokacioni. Mirutakofshim në shtëpinë tonë! Çdo informatë tjetër që qarkullon ndryshe nga kjo informatë zyrtare, është e rreme dhe tentim për mashtrim dhe defokusim të anëtarësisë. Më 18.02.2024 ora 13:00, “Opera dhe Baleti” – Shkup” – ka shkruar Ziadin Sela në Facebook, njoftim që është shpërndarë në profilin e partisë dhe shpërndarë nga mbështetësit e tij./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share