Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, raporton gazetarja Blerta Dalloshi Berisha

“Grumbuj me qytetarë serbë të maskuar, largohet makina e djegur e policisë”

Policia e Kosovës hyri këtë të premte në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Por u has me rezistencën e një grupi qytetarësh serbë. Gazetarja e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha ishte në Zveçan ku raporton se çfarë ndodhi në orët e pasdites. Fillimisht ajo ishte në hyrje të Zveçanit. Gazetarja raporton për grumbullim të shumë qytetarëve serbë, madje një pjesë e tyre janë me maska. Zona ku qëndrojnë ata deri në komunën e Zveçanit është në një largësi prej rreth 1 kilometrash. Protestuesit kanë filluar të gjuajnë me sende dhe të thërrasin kundër forcave të policisë dhe KFOR-it, kur këta të fundit kanë kaluar aty pranë.

“Në këtë pjesën prapa meje është edhe hyrja e Zveçanit ku janë grumbulluar shumë qytetarë serbë dhe janë diku edhe rreth 1 kilometër ndoshta ku të shpie direkt tek komuna e Zveçanit ku më herët edhe ka eskaluar situata. Sigurisht që për shkaqe sigurie ne nuk mund ta bëjmë “stand up-in” aty dhe t’ju njoftojmë në detaje, por kemi xhiruar më herët dhe mund të shihni një numër të madh qytetarësh serbë të grumbulluar atje, madje shumica janë edhe me maska. Afër tyre janë pjesëtarë të KFOR-it ndërsa më herët kur kaloi policia aty filluan të gjuajnë me sende dhe të brohorisnin kundër tyre”, raportoi gazetarja Dalloshi Berisha.

Më pas, gazetarja u zhvendos në qendër të Zveçanit. Ajo ishte pranë një makine policie, një nga dëshmitë e qarta të dhunës së sotme. Makina ishte shkatërruar si pasojë e goditjeve me sende të forta. Blerta Dalloshi Berisha raporton se gazetarët nuk lejohen të shkojnë tek godina e komunës për arsye sigurie.

“Jemi në qendër të Zveçanit dhe siç po e shihni është një veturë e Policisë së Kosovës e dëmtuar nga protestuesit serbë që më herët ka eskaluar situata afër Komunës së Zveçanit ku janë grumbulluar protestuesit serbë për të mos lejuar kryetarin e ri që të futet në objektin e komunës së Zveçanit për të kryer detyrat e tij, i cili një ditë më parë është betuar dhe i përket komunitetit shqiptar pas zgjedhjeve të 23 Prillit të cilin e bojkotuan serbët. Para se të arrinim këtu kishte turma të mëdha me qytetarë serbë të grumbulluar, madje nuk kishte polici aty afër. Gazetarët nuk lejohen që të vazhdojnë lart tek komuna e Zveçanit. Janë ata që kanë qenë më herët, por të tjerët nuk po lejohen. Kemi parë numër të madh të forcave të KFOR-it dhe policisë së Kosovës, të cilët gjendeshin gjatë rrugës që të bie për në Zveçan. Situatë e njëjtë e ngjashme është edhe në komunën e Zubin Potokut dhe Leposaviçit”, raportoi ajo.

Një tjetër dëshmi e akteve të dhunës është edhe një makinë e djegur. Grupi i xhirimit të Tv Klan ka filmuar vetëm hirin që kanë lënë pas mbetjet e saj, pasi gazetarja raporton se autoritetet e kanë larguar mjetin nga vendi i ngjarjes. Nga pamjet duket se Zveçani vijon të jetë i blinduar nga forcat e sigurisë.  Ndërsa shiu, sipas gazetares, ka zmbrapsur serbët të cilët janë larguar nga rrugët.

“Pas orës 16:00 është tërhequr dhe vetura e cila është djegur gjatë eskalimit të situatës këtu në Komunën e Zveçanit. Siç mund ta shihni nga pamjet aty ka qenë vetura e djegur e policisë e cila është larguar. Policia vazhdon që të kujdeset për sigurinë rreth objektit të komunës së Zveçanit ku protestuesit janë larguar pasi është duke rënë shumë shi”, raportoi Dalloshi Berisha.

Ditën e sotme Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit, komuna të banuara me shumicë serbe, për të asistuar kryetarët e rinj për të hyrë zyrat e tyre.

Ata u hasën nga rezistenca e një grupi qytetarësh serbë. Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh. Policia njoftoi se 5 efektivë pësuan lëndime trupore. Autoritetet e Kosovës fajësuan “strukturat kriminale dhe ilegale” të Serbisë për përshkallëzimin e situatës.

I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar, ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share