STANO: VOTIMI NË KOSOVË NË FRYMËN E DIALOGUT
Kanë mbetur më shumë se një javë kur pritet të mbahen zgjedhjet në Serbi, e kjo e fundit refuzon të bëjë kërkesë zyrtare autoriteve të Kosovës për të mbajtur zgjedhjet edhe në komunat që janë të banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Madje Serbia ka përcaktuar edhe qendrat e votimit në qytetet e Serbisë ku do të mund të votojnë qytetarët serb atje.
Kjo pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk kishte aprovuar OSBE-së kërkesën e autoriteteve të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë.
Kurti i ishte përgjigjur këtij institucioni që autoritetet serbe me një kërkesë të tillë duhet ti drejtohen direkt autoriteteve të Kosovës.
Në një përgjigje për TV Klan Bashkimi Evropian rekomandon rifillimin e praktikës së vendosur për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit, me lehtësimin e OSBE-së.
“Ky vendim nuk është në përputhje me frymën e Dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Peter Stano.
I pyetur nëse autoritetet serbe duhet t`i bëjnë kërkesë zyrtare Kosovës, Stano thotë se presin që Kosova dhe Serbia të pajtohen për modalitetet për të mundësuar zgjedhjet në mirëbesim dhe frymën e kompromisit.
“BE-ja mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë t’u mundësojnë serbëve të Kosovës të marrin pjesë në proceset demokratike. Është thelbësore që votuesit serbë me të drejtë vote që banojnë në Kosovë të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore dhe të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare serbe”, tha Stano.
Edhe ambasadorin amerikan në Kosovë është shprehur i zhgënjyer, megjithatë thotë se si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka të drejtë vet t’i përcaktojë kushtet për zgjedhjet e shteteve të tjera që mbahen në territorin e saj.
Praktika e mosmbajtjes së zhjedhjeve të Serbisë në Kosovë ka nisur që nga viti 2022 kur referendumi dhe zgjedhjet nuk ishin lejuar të mbaheshin në Kosovë.