Zgjedhjet Presidenciale/ Osmani: Për herë të parë synojmë mandatin për formimin e Qeverisë!

Misioni kryesor i Frontit Evropian është që të ndryshoj modelin zgjedhor për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Kështu është shprehur kandidati për president nga ky bllok politik, Bujar Osmani, gjatë një aktiviteti partiak të organizuar nga PDSH.

Ai tha se, për herë të parë një bllok multietnik i udhëhequr nga shqiptarët, nuk garon për t’u bërë partner koalicioni, por kërkon mandat për të udhëhequr shtetin dhe kjo sipas tij, është një ndryshim kualitativ i statusit të shqiptarëve në vend.

“Kandidatura ime nuk është vetëm kandidaturë e një politikani që ka eksperiencë vendore dhe ndërkombëtare por, është para së gjithash një misioni. E misioni i frontit evropian është presidenti i zgjedhur në Kuvend me shumicë të dyfishtë ku edhe pozita edhe opozita maqedonase, por edhe pozita dhe opozita shqiptare dhe bashkësia etnike turke, rome etj, do të vendosin për zgjedhjen  e presidentit” – tha Bujar Osmani, kandidat për president.

Ndërkaq, lideri i PSDH-së, Menduh Thaçi tha se, një ndër arsyet kryesore që ka nxitur bashkëpunimin e tij me BDI-në, janë zhvillimet aktuale gjeostrategjike, përkatësisht për shkak të rrezikut që, sipas tij,  i kanoset popujve të Ballkanit që kanë orientim perëndimor.

“Është historia vet e përplasjes së fuqishme politike mes PDSH-së dhe BDI-së, ne kemi luftuar fuqishëm mes vete. Megjithatë, unë jam këtu sonte që të ju them se, neve na ka hije si shqiptar, por edhe si PDSH që në momentin që të bashkëveprojmë, po ashtu të bashkëveprojmë fuqishëm” – tha Menduh Thaçi, PDSH.

Fushata presidenciale zyrtarisht fillon më 4 prill. Megjithatë pothuajse të gjitha partitë politike, kanë filluar aktivitete e tyre zgjedhore dhe tubimet me qytetarët shumë më herët nga afatet e parapara me ligj. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share