Zgjedhjet parlamentare/ Osmani: Nuk mund të ketë qeveri pa shumicë të Badenterit!

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani duke folur sot në cilësinë e përfaqësuesit të Frontit Evropian tha se sipas Marrëveshjes së Ohrit, për formimin e Qeverisë nevojitet shumicë e Badenterit.

 I pyetur rreth paralajmërimeve të VMRO-DPMNE-së, e cila në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale fitoi bindshëm ndaj LSDM-së, se nuk do të koalicionojë me BDI-në për Qeverinë e ardhshme, por me opozitën shqiptare, Osmani tha se, Marrëveshja e Ohrit përcakton që, përkrah shumicës së nevojshme prej 61 deputetëve për formim të Qeverisë, nevojitet edhe shumicë sipas badenterit për qeveri dhe parlament stabil.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit ka krijuar mekanizma për mbështetjen e bashkësive nga mbivotimi, nuk është për mbrojtjen bashkësisë shumicë. Dhe për këtë përkrah shumicës prej 61 kërkon shumicë të Badenterit. Të gjitha tentimet për t’u nënçmuar shumica e dytë në cilat do zgjedhje pas vitit 2001 janë shterpe”, tha Bujar Osmani.

Ndërkaq, Valbon Limani nga koalicioni VLEN duke komentuar qëndrimet e Osmanit, tha se tashmë është e njohur se qëllimi kryesor i BDI është çdoherë pushteti. Sa i përket zotimeve të paralajmëruara nga partitë shqiptare për pjesëmarrje në qeveri, ai tha se detajet do të diskutohen pas zgjedhjeve.

“Ne pas zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen më 8 maj, grupet tona të punës dhe grupet e punës të mandatarit apo të partisë fituese në bllokun politik maqedonas do të ulen dhe do t’i dakordojnë të gjitha detajet rreth qeverisë së ardhshme në shtetin tonë”, tha Valbon Limani.

Që të dy blloqet shqiptare u shprehën se këto ditë, në organet e partisë do të sjellin vendim se cilin prej kandidatëve do të përkrahin në zgjedhjet presidenciale, Gordana Siljanoska Davkovën nga VMRO – DPMNE apo Stevo Pendarovskit nga LSDM./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share