Shtatë seanca publike, në interval kohorë prej dy orësh, mbahen sot në Gjykatën Administrative për të trajtuar individualisht 7 paditë e parashtruara nga Fronti Evropian rreth vendimit të KSHZ që në disa vendvotime të ketë përsëritje të procesit zgjedhor për zgjedhjet paralamentare.
Seanca e parë është caktuar në orën 10:30 të mëngjesit të sotëm, ndërsa e fundit në orët e vona të mbrëmjes.
Në mesditë kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe 5 anëtarë të tjerë përmes një komunikate kanë ngritur shqetësimin ndaj, siç thuhet, deklaratave të partive politike dhe bartësve të pozitave të larta qeveritarë. Në komunikatën që mban reagimin publik të Aleksandar Dashtevskit, Radica Ristesteës, Oliver Ristovskit, Boris Kondarkos, Boban Stojanoskit dhe Abdush Demirit, thuhet se të njejtët ndihen të poshtëruar dhe të fyer.
“Ju njoftojmë se përveç poshtërimit dhe fyerjes personalisht, edhe si anëtarë të institucionit më të lartë për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, jemi të ekspozuar edhe ndaj presioneve politike të pabaza dhe të papërshtatshme publike dhe kërcënimeve për përgjegjësi penale për shkak të vendimeve të miratuara të KSHZ-së. Përveç kësaj, dhe duke ndjekur kontekstin dhe intensitetin e sulmeve, sharjeve dhe fyerjeve, ne jemi gjithashtu të shqetësuar se është e mundur që ato të kthehen në sulme personale ndaj sigurisë sonë” – thonë nga KSHZ.
Në reagimin e KSHZ-së thuhet se janë pranuar vetëm ankesat rreth procesit zgjedhor për të cilat ka pasur bazë ligjore, andaj sipas tyre, sulmet, presionet dhe ndërhyrjet e partive të caktuara politike dhe individëve nga qeveria në procedurat zgjedhore, ndaj punës dhe vendimmarrjes së KSHZ-së dhe Gjykatës Administrative, janë të papranueshme. Për të gjitha këto sot në mbledhjen e KSHZ-së është njoftuar ambasadorja e misionit vëzhgues e OSBE-ODIHR Xhilian Stirk. /tvklan.mk/