Zyra e OSBE/ODIHR filloi sot misionin vëzhgues për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahet në Maqedoninë e Veriut më 24 prill dhe 8 maj. Misioni që udhëhiqet nga ambasadorja Jillian Stirk, përbëhet prej 12 ekspertëve internacionalë nga 12 shtete anëtarë të OSBE-së. Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 20 vëzhgues afatgjatë që do të jenë të shpërndarë në gjithë shtetin nga data 27 mars, ndërsa edhe 300 vëzhgues afatshkurtë do të vijnë në vend pak para ditës së zgjedhjeve.
“Në kuadër të misionit do të bëhet vlerësim nëse zgjedhjet janë në pajtueshmëri me zotimet ndaj OSBE-së dhe detyrimet tjera ndërkombëtare, si dhe me legjislacionin nacional. Vëzhguesit do të ndjekin regjistrimin e votuesve, regjistrimin e kandidatëve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse shtetërore, zbatimin e kornizës legjislative, financimin politik dhe të fushatës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore”, tha Jillian Stirk, Shefja e misionit të OSBE/ODIHR.
Ata gjithashtu do ta vlerësojnë edhe implementimin e rekomandimeve të dhëna paraprakisht nga ODIHR. Ndërkaq, nga java e ardhshme, misioni do të fillojë me ndjekjen e mediave në lidhje me procesin zgjedhor.
E pyetur nëse është rritur numri i vëzhguesve dhe a presin që të ketë ndonjë incident, shefja e misionit të OSBE/ODIHR tha se numri i vëzhguesve është më i madh për shkak se ka zgjedhje të dyfishta.
“Numri i vëzhguesve bazohet në rekomandimet nga misioni për vlerësim të nevojave pas vizitës së realizuar në janar të këtij viti. Ka dy lloje të zgjedhjeve në të njëjtën ditë, kështu që nuk është e jashtëzakonshme të ketë numër të madh të vëzhguesve dhe që kemi kërkuar numër të madh të vëzhguesve për dy llojet e zgjedhjeve”, tha Jillian Stirk.
Misionit të ODIHR-it do t’i bashkangjiten edhe vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, si dhe një delegacion nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së që do të vijnë për zgjedhjet parlamentare. Ata do të vëzhgojnë hapjen e qendrave të votimit, votimin, numërimin e votave dhe tabelimin e rezultateve./tvklan.mk