Zgjedhjet 2024/ TikToku si platformë e fushatës zgjedhore

Që nga fillimi i fushatës për zgjedhjet e dyfishta, politikanët e vendit, gjithnjë e më shumë po hapin profile në TikTok, platformën që kryesisht tubon të rinjtë.

Platforma e popullarizuar TikTok, e njohur përmes formatit për përmbajtje të shkurta e dinamike të video materialeve, po bëhet një lojtar surprizë në arenën politike të vendit.

Por, si u shndërruan politikanët në influencerë dhe nëse xhirimet e shkurta mund të ndikojnë tek votuesit?

Kreu socialdemokrat Dimitar Kovaçevski ka profil në TikTok, quhet “dimitarkovacevskivesti” dhe ka 292 ndjekës.

Përmes një video mesazhi ai arsyeton nevojën për të patur një platformë të këtillë.

Në këtë profil mund të gjeni materiale propaganduese partiake por edhe zotime për zgjedhjet e ardhshme.

Profil në TikTok ka edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ka 2.169 ndjekës dhe shërben për të promovuar programin partiak, reklamimin politik, por edhe prapaskena para dhe pas tubimeve partiake.

Mickoski preferon që nga makina në lëvizje t`u drejtohet votuesve.

“aliahmeti.official” duket se është profili zyrtar I liderit të BDI-së, Ali Ahmetit. Shihet se ka 4.753 ndjekës, por për dallim nga Kovaçevski e Mickoski, lideri i integristëve, në këtë plaformë poston edhe ndeja private, duke kënduar këngë patriotike.

Padyshim se nuk mungojnë edhe fjalimet e zjarrta nëpër tubime, mbështetjet që vijnë nga Shqipëria e Kosova, por edhe pamje të tubimeve.

Me 1.780 ndjekës, profil në TikTok ka edhe kreu I Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Në postimet mund të shihen aktivitetet si Kryetar I Komunës së Tetovës, por edhe prapaskena tjera, sikurse kjo video kur vet kosit barrin e një parku në Tetovës.

Se në fushatë është i domosdoshëm TikToku, dëshmon edhe profili I liderit të Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski. Profili është hapur më 17 shkurt 2024 në kohën kur nisi të intensifikohet fushata për zgjedhjet e dyfishta.

Një nga arsyet se përse TikToku po bëhet atraktiv për politikanët, mund të jetë aftësia e tij intriguese për të shpërndarë mesazhet në mënyrë të shpejtë dhe efikase për një masë të gjërë të publikut.

Algoritmi dhe natyra virale mundësojnë që video-materialet, për një kohë të shkurtër, të shihen nga mijëra shfrytëzues.

Kjo e ka bërë TikTokun në vegël mjaft të fuqishme për politikanët, të cilët dëshirojnë të lidhen me votuesit, në veçanti, me më të rinjtë, që ndoshta nuk informohen përmes mediave tradicionale. /TvKlan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share