Përdorimi nga Rusia i raketës së re të fuqishme me rreze të mesme veprimi për të goditur Ukrainën, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tregon se Moska nuk synon t’i japë fund luftës.
“Kjo është një provë më shumë se Rusisë nuk i intereson paqja. Putin, jo vetëm po e zgjat luftën, por po pështyn në fytyrën e atyre nëpër botë që duan kthimin e paqes.”
Zelenski bëri thirrje për reagim të ashpër ndërkombëtar kundër Moskës. Shtëpia e Bardhë tha se Moska e njoftoi Uashingtonin për përdorimin e një rakete të re eksperimentale, para se të godiste. Pas këtij zhvillimi, të Martën u thirr mbledhje urgjente e Këshillit NATO-Ukrainë në Bruksel për të diskutuar mbi mënyrat e reagimit ndaj kësaj situate të re. Për kancelarin gjerman Olaf Scholz, ky është një zhvillim shumë i rrezikshëm. Ndërsa Pekini zyrtar bëri thirrje që palët të tërhiqen nga tensionimi i situatës dhe të gjejnë zgjidhje diplomatike.
Të Enjten, Vladimir Putin pasi njoftoi se raketa e përdorur ishte me rreze të mesme veprimi dhe që e kalonte 10 herë shpejtësinë e zërit, tha se ky ishte një mesazh se armë të tilla do të përdoren për ato vende që lejojnë përdorimin e armëve të tyre kundër Rusisë.
Tv Klan