Zelensky paralajmëron kundër “marrëveshjeve të dyshimta” për paqe

Këtë vit president i Ukrainës doli personalisht përpara udhëheqësve botërorë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai paralajmëroi udhëheqësit botërorë se pushtimi i vendit të tij nga Rusia përbën kërcënim serioz për të gjithë botën dhe se Rusia nuk duhet të ketë të drejtë të mbajë armë bërthamore.

Zelensky akuzoi presidentin Putin se ka kthyer në mjete lufte gjithçka, nga ushqimi, energjia dhe energjia bërthamore. Ai paralajmëroi se pushtimi nga Moska i termocentralit bërthamor Zaporizhzhia të Ukrainës – më i madhi në Europë – e kishte kthyer atë në një “bombë me sahat”.

“Qëllimi i luftës së tanishme kundër Ukrainës është ta kthejë tokën tonë, popullin tonë, jetët tona, burimet tona në një armë kundër jush, kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Rusia ka kthyer mjet lufte gjërat thelbësore si ushqimin dhe energjinë jo vetëm kundër vendit tonë, por edhe kundër të gjithëve ju”.

Deklaratat e tij ishin ndër më të ashprat në një seri fjalimesh të udhëheqësve botërorë, përfshirë presidentin amerikan Biden.

Zelensky kërkoi nga homologët t’i mos i besojnë Kremlinit dhe solli në vëmendje rastin e kreut të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin.

“Djallit nuk mund t’i besohet,” tha Zelensky. “Vetëm pyesni Prigozhin.”

Presidenti ukrainas bëri përgjegjëse forcat ruse për rrëmbimet masive të fëmijëve nga Ukraina.

“Koha kalon, çfarë do të ndodhë me ta? Ky është “qartësisht një gjenocid”. “Ka dhjetëra mijëra fëmijë që ne e dimë se janë rrëmbyer nga Rusia.  po përpiqemi t’i kthejmë fëmijët në shtëpi, Ata fëmijë mësohen të urrejnë Ukrainën dhe të gjitha lidhjet me familjet e tyre janë prishur. Ky është padyshim një gjenocid”.

Zelensky vazhdoi fjalimin e tij duke renditur kërcënimet e tjera vdekjeprurëse, përveç armëve bërthamore, siç është inteligjenca artificiale. Kreu ukrainas paralajmëroi kundër “marrëveshjeve të dyshimta” në përpjekje për t’i dhënë fund luftës me kushte të padrejta.

Zelensky planifikon të diskutojë planin e paqes për Ukrainën, i cili është miratuar plotësisht ose pjesërisht nga mbi 140 vende, në takimin e Këshillit të Sigurimit për Ukrainën të mërkurën. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, gjithashtu pritet të marrë pjesë në takimin e Këshillit, duke sjellë potencialisht liderin e Ukrainës në të njëjtën tryezë me një zyrtar të lartë rus për herë të parë që nga fillimi i luftës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share