Zëdhënësja e Kremlinit konfirmoi vizitën e Lavrovit në Serbi

Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, më 3 Qershor, ka konfirmuar se ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov do të vizitojë Serbinë.

Në konferencën e saj për shtyp, Zaharova tha se Lavrov do të jetë në Serbi nga 6 deri më 7 Qershor.

Ajo tha është planifikuar që Lavrov të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefin e diplomacisë serbe, Nikola Selakoviq dhe kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiq. Shtohet se është planifikuar që Lavrov të takohet edhe me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

“Pritet që të bisedohet më detajisht për çështjet e bashkëpunimit dypalësh politik dhe ekonomik, të shkëmbehen mendime për situatën në rajonin e Ballkanit, si dhe për problemet aktuale ndërkombëtare”, tha Zaharova, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme ruse.

Njoftimi për vizitën e Lavrovit ende nuk është paralajmëruar zyrtarisht në Serbi, ndërsa në faqen e internetit të Presidentit të Serbisë thuhet se Aleksandar Vuçiq do të jetë në Maqedoninë e Veriut nga data 7 deri më 8 Qershor, ku do të marrë pjesë në takimin e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 Qershor deklaroi se situata rreth vizitës së paralajmëruar të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, në Beograd po komplikohet.

Vuçiq, gjatë qëndrimit në Bratisllavë, i ka thënë Televizionit Pink se nuk ishte i gatshëm të jepte më shumë detaje.

“Po komplikohet, padyshim që po komplikohet. Nuk jam gati të flas ende për këtë, por po – po komplikohet. Çështja është se si do të vijë… do të shohim”, shtoi Vuçiq.

Subjekti opozitar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) dënoi vizitën e Lavrov. Kjo parti, më 31 maj, përmes një deklarate tha se ishte e papranueshme që ministri Lavrov të pritej solemnisht në Beograd, derisa sa po vazhdon agresioni ushtarak i Rusisë në territorin e Ukrainës.

Vizita e Lavrov u dënua gjithashtu nga një grup joformal që kundërshton pushtimin e Ukrainës, i cili mbledh rusë, ukrainas, bjellorusë dhe serbë në Serbi.

Ata i bënë thirrje presidentit të Serbisë dhe organeve shtetërore që t’i mohojnë mikpritjen kreut të diplomacisë ruse, duke thënë se pritja e këtij zyrtari të lartë do të nënkuptonte “mungesë të qartë të dënimit të agresionit dhe ndjeshmërisë për vuajtjet e njerëzve në Ukrainë, si dhe renditje të Serbisë në anën e agresorit dhe anulimin i votës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Rezolutën që dënon agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës”.

Serbia refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë, por ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë.

Serbia dhe Rusia tradicionalisht mbajnë marrëdhënie të ngushta dypalëshe, të forcuara nga varësia e Serbisë nga gazi rus./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share