Një grup kërkuesish kanë zbuluar praninë e 3 vullkanëve të mëdhenj nënujorë në Kanalin e Siçilisë. Sipas asaj që shkruan TGCom24, operacioni u koordinua nga Universiteti i Maltës dhe Instituti Kombëtar OGS (Instituti i Oqeanografisë dhe Gjeofizikës Eksperimentale) të Triestes. Vullkanët janë të paktën 6 kilometra të gjatë dhe shtrihen mbi 150 metra në fund të detit, në zonën midis Mazara del Vallo dhe Sciacca.
Kërkuesit po ashtu kanë gjetur edhe rrënojat e një anije rreth 100 metra të gjatë dhe 17 metra e gjerë. Ajo ndodhet në rreth 110 metra në thellësi, në Banco Senza Nome, në gjysmë të rrugës mes ishullit vullkanik të Linosa dhe Siçilisë.
Ekspedita vullkanike: Vullkanët e rinj i shtohen një serie konesh vullkanike të zbuluara nga Instituti i Oqeanografisë dhe Gjeofizikës Eksperimentale në 2019-n.
Kërkuesit kanë eksploruar shtratin e detit në disa sektorë të Kanalit të Siçilisë, një pjesë e mirë ende e panjohur, për të rindërtuar morfologjinë e tij. Ata kanë marrë kampionë të shkëmbinjve, nga disa vullkanë nënujorë, që do të analizohen gjatë muajve në vijim dhe do të bëjnë të mundur të japin të dhëna për moshën e vullkanëve dhe karakteristikat e magmave.
“Këto të dhëna do të jenë thelbësore për rindërtimin e historisë gjeologjike të një prej rajoneve më komplekse të Mesdheut qendror”, tha Giulia Matilde Ferrante, studiuese në seksionin e gjeofizikës në OGS./tvklan.al