Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit/ Brukseli i zhgënjyer nga Prishtina dhe Beogradi!

Brukseli i zhgënjyer me Kosovën e Serbinë për zbatim të limituar të marrëveshjes së Ohrit.

Në ditën kur janë bërë një vit që palët janë pajtuar për këtë marrëveshje në Ohër, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se presioni ndërkombëtar ndaj të dyj vendeve do të rritet.

”Mua më vjen shumë keq që kjo marrëveshje- që ishte fort e zorshme për t’u arritur, nuk është zbatuar. Ne do vazhdojmë të bëjmë presion te të dyja palët, në mënyrë që të ecet përpara. Por një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë ashtu siç unë kam pritur të ishte” – tha Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së.

Tha se zbatimi i saj ishte i limituar.

Koha fluturon dhe tashmë u mbushën një vit nga kur ne arritën një ujdi mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të ecim drejtë normalizimit. Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes se vazhdueshme të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova, kanë arritur përparim shumë të limituar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vlerëson se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit është i rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

”Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status-quonë. Dhe status-quoja në lidhje me këtë çelës strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës” – tha Edi Rama.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share