Vizita e liderit kinez si dëshmi për të qëndruar kundër një perëndimi armiqësor
Me një ceremoni të veçantë pritjeje lideri kinez mbërriti në Rusi në vizitën e tij të parë që nga nisja e agresionit. Presidenti kinez do të jetë lideri i parë që do t’i shtrëngojë dorën Putinit që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për të. Të dy liderët pritet të diskutojnë gjithashtu planin e paqesh prej 12 pikash për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.
“Dragoi ka mbërritur”, kështu u hapën faqet e gazetave kur lideri kinez Xi Jinping mbërriti në Rusi në vizitën e parë shtetërore që nga nisja e agresionit.
Presidenti kinez do të jetë lideri i parë që do t’i shtrëngojë dorën Putinit që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për të të premten lidhur me deportimin e fëmijëve ukrainas në Rusi që nga pushtimi i saj. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u prit nga zëvendëskryeministri rus, Dmitry Chernyshenko teksa dyshja të kalonin para rojeve të nderit gjatë një ceremonie mirëseardhjeje për liderin kinez.
Moska ka deklaruar se urdhër arresti ndaj Putin ishte mes një numri të “shfaqjeve armiqësore” ndaj Perëndimit. Rusia pritet që ta dokumentojë udhëtimin e Xi Jinping si dëshmi se ka një mik të fuqishëm të përgatitur për të qëndruar me të kundër një Perëndimi armiqësor që e akuzon se po përpiqet të izolojë dhe mposht Moskën.
Pekini ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat perëndimore se po planifikon të armatosë Rusinë, por është shprehur se dëshiron një partneritet më të ngushtë energjetik pas rritjes së importeve të qymyrit, gazit dhe naftës ruse pas pushtimit të Ukrainës.
Vizita është komentuar edhe nga presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky i cili shkruajti në Telegram se: “Kur populli ukrainas të mbrohet, kur forca e Kartës së OKB-së dhe forca e drejtësisë të rikthehen në tokën tonë, kjo do të garantojë paqen edhe për shumë pjesë të tjera të botës” u shpreh ai.
Putin nënshkroi një partneritet “pa kufij” me presidentin kinez vitin e kaluar pak para se të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë për t’i dhënë fund asaj që ai tha se ishte një kërcënim për Rusinë. Lideri kinez do të zhvillojë bisedime “joformale” me Putinin, pasuar nga darka ndërsa bisedimet zyrtare janë planifikuar për të martën.
Putin do t’i japë presidentit kinez Xi Jinping sqarime të hollësishme mbi këndvështrimin e Rusisë për konfliktin në Ukrainë. Gjatë një telefonate me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se të dy liderët do të diskutojnë temat në një plan paqeje për Ukrainën të propozuar nga Pekini muajin e kaluar. Dokumenti 12-pikësh i Kinës, i cili bëri thirrje për dialog midis dy palëve, nuk përmbante asnjë udhërrëfyes se si t’i jepet fund luftës, tashmë në muajin e saj të 13-të. Ukraina e mirëpriti me kujdes, por Shtetet e Bashkuara ishin shpërfillëse, duke pasur parasysh refuzimin e Kinës për të dënuar pushtimin e Rusisë.
GAZETARE: LIVIA KALLFA