Xhaka e Shaqiri me Zvicrën do të luajnë në Serbi

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ishin lojtarët më të urryer nga serbët në përballjen e dy Kombëtareve në dy Botërorët e fundit.

Ishin pikërisht dy futbollistët shqiptarë që ishin protagonistë në duel me serbët, të cilët i mposhtën në të dyja herët.

E pas përfundimit të Kupës së Botës, Kombëtaret do të pushojnë për një kohë para fillimisht të kualifikimeve të Kampionatit Evropian, që do të mbahet në vitin 2024.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

E duket se përballja e Xhakës e Shaqirit me serbët nuk ka marrë fund.

Këtë radhë s’do të kenë punë me Kombëtaren serbe, por me Serbinë.

Më saktësisht, UEFA ka vendosur që Bjellorusia, e cila po e mbështet Rusinë në luftën kundër Ukrainës, ndeshjet si vendëse në kualifikime të Euro 2024 t’i zhvillojë në një vend tjetër.

Në këtë rast, shtëpia e futbollit evropian vendosi që bjellorusët ndeshjen me Zvicrën ta luajë pikërisht në Serbi, respektivisht në Novi Sad.

Pa dyshim, tifozët serbë ka gjasa që ta shfrytëzojnë mundësinë për t’i fyer dy “shqiponjat shqiptare”, njëjtë siç bënë në dy Botërorët e fundit.

E Xhakës e Shaqirit iu mbetet ta ruajnë gjakftohtësinë dhe t’i tregojnë vlerat e tyre në fushën e blertë, në ndeshjen që do të zhvillohet më 25 mars të vitit 2023, shkruan “Gazeta Express”.

Kujtojmë se Kombëtarja shqiptare e kishte përjetuar ferrin në Beograd në ndeshjen kualifikuese për Euro 2016, ku ishte shfaqur mllefi dhe urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve.

Kujtojmë se në Grupin I, bashkë me Zvicrën e Bjellorusinë bën pjesë edhe Kosova, krahas Andorrës, Izraelit dhe Rumanisë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share