Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim të shkurtër me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, para fjalimit të saj të parashikuar para deputetëve në Kuvend.
Në takim ishte e pranishme edhe sekretarja e përgjithshme, Cvetanka Ivanova.
Kryetari Xhaferi, duke i uruar mirëseardhje në Kuvend në emër të deputetëve, theksoi se qëllimet strategjike të shtetit prej pavarësimit të tij janë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe shprehu bindjen se në çastin kur vendi është në pragun për të filluar procesin e negociatave që duhet të sjellë deri në përmbushjen e qëllimit të dytë strategjik, deputetët do e zgjedhin rrugën e drejtë. Ai theksoi se vendimet merren në pajtim me respektimin e çështjeve kryesore për të cilat shprehet shqetësim në opinion si gjuha, kultura, historia dhe identiteti maqedonas. Gjuha maqedonase do të regjistrohet pa fusnota, potencoi Xhaferi.
Ai shprehu bindjen se koha do të dëshmojë se është marrë vendimi i vërtetë. Kryetarja Ursula fon der Lajen potencoi se për të është nder të jetë këtu në vend në çaste të këtilla vendimtare, se në Bashkimin Evropian janë të vetëdijshëm se shteti ka arritur shumë deri tani dhe se lëviz në kahun e vërtetë. Ajo shprehu shpresë se propozimi i rishikuar francez i cili i mbron identitetin dhe gjuhën maqedonase do të hasë në aprovim dhe e rikujtoi moton e BE-së:
“Të bashkuar në dallimet”. Ajo theksoi se do e ndjekin me vëmendje votimin në Kuvend dhe se pas mbajtjes së konferencës së parë ndër-qeveritare, menjëherë do të fillojë procesi i skriningut.
“Ju presim në BE”, përfundoi Ursula fon der Lajen. Kryetari Xhaferi, duke falënderuar për inkurajimin, tha se beson në vendosmërinë e 27 vendeve anëtare që pas 17 viteve pritje të zhbllokojnë procesin dhe se hapja e negociatave do e zvogëlojë presionin në opinion. Po ashtu, shprehu bindjen se procesi do të finalizohet së shpejti.