Reagime ndërkombëtare pas rebelimit të mercenarëve të Rusisë
Ndër të parët që reagoi pas rebelimit të mercenarëve të njësisë Wagner ishte presidenti ukrainas Volodimir Zelensky, ushtria e të cilit është përballur në beteja të ashpra me ta në territorin e Ukrainës. Në një postim në Twitter, Zelenski shprehet se “kush zgjedh rrugën e së keqes, shkatërron vetveten”, ndërsa vendi i tij do të qëndrojë i bashkuar drejt zmbrapsjes së rusëve.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, njoftoi mbledhjen urgjente të komitetit qeveritar të krizave të njohur ndryshe si “Kobra” për të diskutuar zhvillimet në Rusi.
Sunak u bëri thirrje palëve në konfliktin e ri, të kursejnë jetët e civilëve. Edhe qeveritë e vendeve lindore të Bashkimit Europian dhe NATO-s si Polonia, Çekia, Rumania dhe ato baltike njoftuan mbledhje urgjente për të diskutuar këtë situatë.
Megjithatë për Bashkimin Europian, situata është çështje e brendshme e Rusisë. Por si e vlerësojnë këtë situatë banorët e Moskës që u zgjuan sot me masa të ashpra anti-terrori?
“Ushtarë e makina të tyre gjithandej. Ata po bëjnë punën e tyre për të mbrojtur popullin, por sigurisht kjo gjendje të tremb”.
“Ky është provokim, por nuk më tremb. Kam besim tek presidenti dhe populli ynë”.
Ndërsa në Rostov shumë qytetarë kanë mirëpritur trupat e njësisë së mercenarëve të rebeluar Wagner që kanë marrë kontrollin e qytetit, duke u ofruar atyre ujë dhe ushqime. Kurse ushtarët ukrainas në front, po ndjekin trazirat në Rusi duke ngrënë kokoshka.
Tv Klan