Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, i sanksionuar nga Amerika qëndroi ditë me radhë në Rusi si i deleguar i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Pas kthimit nga atje dhe takimit që pati me presidentin rus Vladimir Putin, Vulin zgjodhi televizionin serb RTS që të japë detaje nga të gjitha takimet e bisedat që i pati në shtetin i cili po bën luftë në Ukrainë.
Ish-shefi i BIA-s ka treguat se Serbia dëshiron t’i bashkohet BRICS-it.
Vulin vlerësoi se samiti i BRICS-it “zgjoi shpresën” dhe se në atë ngjarje u mblodhën përfaqësues të ‘vendeve të lira’.
Duke folur për RTS, ai tha se delegacioni serb është pritur në Kazan me “gëzim dhe mikpritje të madhe”.
Ai tha se ishte mes miqsh në Rusi dhe se gjatë asaj kohe kishte pasur “biseda të vështira” me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd.
Vulin tha se presidenti rus Vladimir Putin e kupton pozicionin e Serbisë dhe e vlerëson guximin e saj sepse nuk vendosi sanksione ndaj atij vendi.
“Kam biseduar me Putinin për situatën në botë dhe si të përmirësojmë marrëdhëniet tona”. Ne jemi të vetmit në Evropë që nuk kemi vendosur sanksione kundër Rusisë. Putin e vlerëson shumë. Serbia është e rrethuar nga të gjithë anëtarët e paktit të NATO-s, nuk është një pozicion i lehtë”, tha Vulin.
Ai tha gjithashtu se vendet e BRICS nuk e kushtëzojnë Serbinë me asgjë dhe se falë Rusisë do të ketë mjaft gaz këtë dimër.
Samiti i grupit BRICS në qytetin rus të Kazanit u mbajt nga 22 deri më 24 tetor.