Gjykata e Apelit në Gostivar e ka kthyer në rigjykim rastin e partisë politike Aleanca për Shqiptarët, duke aktualizuar përsëri çështjen se cilit tabor i takon kjo parti, Ziadin Selës apo Arben Taravarit.
Lënda është kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit pranoi ankesat Arben Taravarit.
Rigjykimin e sheh si fitore Arben Taravari që sipas tij me këtë vendim partia u është kthyer aktivistëve. Ai përmes rrjeteve sociale, ka uruar të gjithë aktivistët.
“Aleanca për Shqiptarët është e jona! Gjykata e Apelit vendosi që Partia Aleanca për Shqiptarët i takon shumicës absolute. Partia i kthehet Anëtarësisë së saj! Urime të gjithëve!”, ka shkruar Taravari.
Duke shpërndarë foton Taravari Mickoski, me reagim ka dalë edhe ish ministri i Drejtësisë nga tabori i Selës, Krenar Lloga. Lloga ka thënë se vendimi për rigjykim të rastit erdhi pas presioneve të shumta të Taravarit dhe Mickoskit ndaj gjykatës. Lloga ka thënë se Taravari është kryetar i Aleanca për Shërbimet ndaj Mickoskit.
“Edhe pas presionit të Taravarit dhe padronit të tij, ai nuk ka fituar lëndën rreth “vulave të ASH-së”. Lënda rreth legjitimitetit të Aleancës për Shqiptarët është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore të Tetovës. ASHM – Aleanca për Shërbimet ndaj Mickoskit do ishte e drejtë të quhet subjekti i ri pas ndarjes nga partia jonë.100 ditë në qeverisje me VMRO-DPMNE e kanë dëshmuar në çdo sekondë veprimtarinë kuislinge. P.s edhe në Gjykatën e Apelit në Gostivar është ndërruar gjyqtarja ama… Ska lidhje be shoc, mos e përmend se në favorin tonë është”, ka shkruar Lloga duke ju përgjigjur Taravarit.
Ndryshe, në prill të vitit 2024 Gjykata në Tetovë vendosi që vulat e partisë ti takojnë Ziadin Selës dhe ai të jetë kryetar megjithatë vendimi i njëjtë pas ankesave është kthyer përsëri në rigjykim. Aso kohe vendimin që Sela të jetë kryetar e kundërshtonte krahu i Arben Taravarit. /tvklan.mk/